BLOG, 14 October 2026, 13:31

Nobeli në ekonomi 2026 dhe reflektim për Shqipërinë

Nobeli në ekonomi 2026 dhe reflektim për Shqipërinë

“Stabiliteti nuk mjafton pa produktivitet, besueshmëri institucionale dhe politika që japin rezultate”.

Nobeli në Ekonomi 2026 na kujton se stabiliteti nuk është një “fotografi e bukur” e treguesve të një viti. Ai është aftësia e një vendi për t’u përballur me goditjet pa cenuar të ardhmen dhe për ta kthyer besueshmërinë në investime, punësim e mirëqenie. Për Shqipërinë, mësimi më i rëndësishëm është i qartë: ruajtja e ekuilibrave duhet të shoqërohet me reforma që rrisin produktivitetin

Çmimi Nobel në Ekonomi për vitin 2026, i dhënë Robert E. Hall dhe Michael Ëoodford për kontributet në kuptimin e stabilizimit makroekonomik, ka një mesazh që shkon shumë përtej auditorëve universitarë. Ekonomia nuk është vetëm bashkësi treguesish, normash interesi dhe vendimesh buxhetore. Pas çdo treguesi qëndrojnë familje që vendosin sa të konsumojnë, biznese që përcaktojnë nëse do të investojnë dhe njerëz që mendojnë nëse duhet të kursejnë, të marrin kredi apo të kërkojnë punë diku tjetër. Prandaj, një politikë ekonomike nuk vlerësohet vetëm nga synimi i saj, por nga mënyra se si ndryshon sjelljen dhe pritshmëritë e këtyre aktorëve.

Për Shqipërinë, kjo është një çështje veçanërisht e rëndësishme dhe duhet konsideruar.. Vendi ka përballuar periudha të vështira dhe ka konsoliduar mekanizma të rëndësishëm të stabilitetit ekonomik, monetar e financiar. Megjithatë, qëndrueshmëria e treguesve makroekonomikë nuk do të thotë automatikisht rritje e mirëqenies për çdo familje, as zhvillim i mjaftueshëm për të përballuar emigracionin, mungesën e fuqisë punëtore dhe konkurrencën e ekonomive të tjera. Sfida e radhës është që stabiliteti të shndërrohet në aftësi akoma  më të lartë prodhuese(produktiviteti) dhe në mundësi më të mira ekonomike per te gjithe..

Robert Hall ka ndihmuar të kuptojmë se konsumi dhe punësimi nuk lëvizin mekanikisht në përgjigje të politikave. Një familje me të ardhura të kufizuara dhe pa kursime mund ta përdorë menjëherë mbështetjen financiare për nevoja bazë. Një familje me siguri më të madhe financiare mund të zgjedhë ta kursejë atë. Kështu, dy masa me të njëjtën kosto buxhetore mund të kenë efekte shumë të ndryshme. Për një vend me dallime të konsiderueshme në të ardhura dhe mundësi ekonomike, si Shqipëria, kjo do të thotë se politika sociale dhe fiskale duhet të projektohet mbi nevojat reale,duke e konsideruar me mire kete ide te nobelistit te ri Robert Hall.

Michael Woodford, nga ana tjetër, ka treguar rëndësinë e pritshmërive për mënyrën si vepron politika monetare. Një normë interesi nuk ndikon vetëm përmes kostos së kredisë sot; rëndësi ka edhe ajo që bizneset dhe qytetarët presin të ndodhë nesër. Nëse ata besojnë se inflacioni do të mbahet nën kontroll dhe se institucionet do të veprojnë me qëndrueshmëri, vendimet e tyre financiare bëhen më të parashikueshme. Kur besimi dobësohet, edhe masa teknikisht të arsyeshme mund të japin rezultate më të kufizuara.

Çfarë duhet të bëjë konkretisht Shqipëria?

Së pari, të mbrojë dhe të forcojë besueshmërinë e institucioneve ekonomike. Banka e Shqipërisë,është një nga institucionet me besushmëri më të lartë në vend dhe vazhdon të mbrojë me konseguencë misionin e vet kushtetues dhe  duhet të vijojë,pa mëdyshje, orientimin drejt stabilitetit të çmimeve, duke shpjeguar me gjuhë të kuptueshme arsyet e vendimeve dhe rreziqet që sheh përpara. Në një ekonomi ku monedha kombëtare vazhdon të forcohet por dhe që  euro përdoret gjerësisht në depozita, kredi dhe transaksione, transmetimi i politikës monetare është më kompleks dhe duhet të kuptohet nga masa e gjerë e popullsisë. Prandaj,si edhe deri me sot, vazhdimi dhe thellimi i analizave më të thella e më të hollësishme për pritshmëritë e familjeve dhe bizneseve, për ekspozimin në valutë dhe për mënyrën se si ndryshimet e normave të interesit ndikojnë kategori të ndryshme huamarrësish,është objektiv i pandryshueshem..

Gjithashtu,edhe pse jemi në kushtet e ekonomise se tregut,nuk duhet të mbetet jashtë vëmendjes,reagimi në rritje i çmimeve,si rrjedhojë edhe e ndikimit të krizave e7-8 vitet e fundit(Pandemia e Covid-19,lufta në Ukraine,ajo në lindjen e mesme,kriza energjitike dhe ndërprerja e zinxhirrit të furnizime etj).Masat e marra nga Qeveria Rama,kohët e fundit ,në këtë drejtim(Bordi i Transparencës), hedhja në treg e një sasie të konsiderueshme nafte bruto nga Albetrol,vendosja e një kontrolli te përkohshem mbi disa çmime të mallrave të domosdoshme në treg,për mos ndryshimin në rritje të tyre) ,shërbejnë pozitivisht,për popullsinë dhe bizneset.

Së dyti, politika fiskale duhet të bëhet më konkrete,reale dhe më e riorientuar.. Sepse sot nuk gjykohet vetëm nga sa shpenzon, por nga rezultati që krijon çdo lek publik i shpenzuar. Mbështetja për familjet në nevojë duhet të jetë e mirëorientuar,(duke u thelluar me atë që po bëhet dy tre vitet e fundit) ndërsa investimet publike duhen riorientuar dhe përzgjedhur mbi analiza reale të përfitimit ekonomik, kostos së mirëmbajtjes dhe ndikimit në produktivitet,dhe përfitimit qytetar prej tyre. Ndoshta ,dy vitet e ardhshme të  këtij mandati qeverisës,riorientim i investimeve duhet të nxjerri në krye të listës rritjen e aksesit me ujë të pishëm të popullsisë.35 vite tranzicione kanë lënë të  cunguar realizimin e këtij objektivi.Kujtoj këtu që në këta 35 vite është ndertuar një Shqipëri e dytë dhe nevojat për furnizim me ujë ,janë shumëfishuar.. Edhe ruajtja e hapësirës fiskale për krizat e ardhshme është po aq e rëndësishme sa financimi i prioriteteve të sotme. Në këtë drejtim, rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për forcimin e institucioneve dhe të qëndrueshmërisë fiskale kanë rëndësi praktike të veçantë.

Së treti, Mendimi ekonomik duhet të kalojë nga debati për ritmin e rritjes ekonomike te debati për cilësinë e saj. Nëse rritja mbështetet kryesisht në sektorë me produktivitet të kufizuar, në zgjerim të konsumit apo në burime të përkohshme, ajo nuk do të mund të garantojë vetvetiu paga më të larta dhe vende pune cilësore. Investimi në arsim, formim profesional, teknologji, infrastrukturë funksionale,rritjen e aksesit me uje të pijshëm dhe inovacion duhet të trajtohet si politikë ekonomike qendrore, jo si shtojcë e saj.Kështu ato do te mbeshtesin me shumë edhe sektorin e turizmit që këta 3-4 vite është në lulëzim . Një ekonomi bëhet më e fortë kur punonjësi prodhon më shumë vlerë, jo thjesht kur çmimet e aktiveve rriten.

Së katërti, tregu i punës kërkon ndërhyrje më inteligjente. Mungesa e fuqisë punëtore nuk zgjidhet vetëm me rritje nominale pagash, as vetëm me programe afatshkurtra punësimi.apo me fuqi punëtore nga jashte vendit(sigurisht që tre këta element janë të nevojshëm). Por duhet një  lidhje më e mirë midis shkollave, universiteteve, formimit profesional dhe ndërmarrjeve; duhen të dhëna për aftësitë që kërkon tregu dhe instrumente që lehtësojnë punësimin formal. Po ashtu, përmirësimi i shërbimeve publike dhe i perspektivës profesionale është pjesë e përgjigjes ndaj emigracionit. Pa kapital njerëzor të kualifikuar, edhe investimet private më ambicioze hasin kufij.

Së pesti, kujdesi për stabilitetin financiar duhet të shkojë përtej gjendjes së përgjithshme të bankave. Zhvillimet e kreditimit, tregu i pasurive të paluajtshme, aftësia paguese e familjeve dhe ekspozimi ndaj kursit të këmbimit kërkojnë monitorim të vazhdueshëmdhe qendrim vigjelent në vazhdimësi.Një ekonomi e vogël dhe e hapur mund të përjetojë goditje nga jashtë edhe kur politikat e brendshme janë të kujdesshme. Pikërisht për këtë arsye, instrumentet makroprudenciale, analizat e stresit dhe informacioni i besueshëm financiar kanë qenë dhe  janë pjesë e dobishme dhe domosdoshme e politikëbërjes.

Cilat janë kushtet që i bashkojnen të gjitha këto drejtime?

Administrata publike duhet të mësojë më mirë  të masë rezultatet. Për një program arsimor nuk mjafton të numërohen përfituesit, duhet të matet sa prej tyre gjejnë punë dhe me çfarë të ardhurash. Për një investim publik nuk mjafton ceremonia e përfundimit, duhet të shihet çfarë produktiviteti, sigurie apo shërbimi sjell në vitet në vijim. Për një masë sociale nuk mjafton shuma e shpërndarë, duhet të vlerësohet nëse u ul realisht cenueshmëria. Pa këtë kulturë të vlerësimit, politika ekonomike rrezikon të bëhet një varg ndërhyrjesh që nuk mësojnë nga njëra-tjetra.

Kjo kërkon bashkëpunim më të ngushtë midis Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë, INSTAT-it, universiteteve dhe komunitetit të biznesit. Të dhënat duhen përdorur për të identifikuar problemet përpara se të bëhen kriza, për të krahasuar alternativa dhe për të korrigjuar politikat që nuk japin rezultatet e pritshme. Edhe këtu qëndron vlera e punës së Hall dhe Ëoodford: modelet ekonomike bëhen të dobishme kur shpjegojnë vendimet reale dhe i ndihmojnë institucionet të veprojnë me më shumë përgjegjësi.

Shqipërisë nuk i mungojnë vetëm burimet, shpesh i mungon edhe vazhdimësia e zbatimit dhe besimi se rregullat do të mbeten të njëjta për të gjithë. Kjo është arsyeja pse pavarësia institucionale, transparenca, konkurrenca e ndershme dhe administrimi i mirë i financave publike nuk janë çështje të ndara nga ekonomia. Ato përcaktojnë gatishmërinë e investitorëve për të ndërmarrë projekte afatgjata dhe të familjeve për të planifikuar të ardhmen e tyre.

Nobeli në Ekonomi 2026 na kujton se stabiliteti nuk është një “fotografi e bukur” e treguesve të një viti. Ai është aftësia e një vendi për t’u përballur me goditjet pa cenuar të ardhmen dhe për ta kthyer besueshmërinë në investime, punësim e mirëqenie. Për Shqipërinë, mësimi më i rëndësishëm është i qartë: ruajtja e ekuilibrave duhet të shoqërohet me reforma që rrisin produktivitetin, përmirësojnë institucionet dhe bëjnë që përfitimet e zhvillimit të ndihen më gjerësisht. Vetëm atëherë stabiliteti makroekonomik do të jetë jo thjesht arritje statistikore, por themel i një ekonomie më të fortë dhe i një shoqërie me më shumë perspektivë.