AKTUALITET, 12 Nëntor 2018, 10:59

Diplomatja amerikane: Pse duam që Ministria e Brendshme të jetë funksionale

Diplomatja amerikane: Pse duam që Ministria e Brendshme të jetë

SHBA insistojnë për nevojën e një Ministrie të Brendshme plotësisht funksionale dhe jashtë politikës. E ngarkuara me punë e ambasadës amerikane në Tiranë, Leyla Moses-Ones në një intervistë për “Panorama” thotë se autoritetet shqiptare në luftën ndaj krimit të organizuar duhet të godasin përfituesit e vërtet të kësaj veprimtarie, pavarësisht nëse ata janë kriminelë apo zyrtarë.

“Kemi nevojë për një MB tërësisht funksionale dhe jashtë politikës për të ecur përpara. Presim që partnerët tanë shqiptarë të vazhdojnë përpara për të mposhtur krimin e organizuar duke arrestuar bosët e krimit, e për t’i dhënë fund korrupsionit”, – tha ajo. Në intervistën e saj ajo kërkon të ketë ndjekje penale të bosëve të njohur të krimit dhe arrestimin e “peshqve të mëdhenj” si Klement Balili ndërsa ndalet edhe te mohimi i vizave të zyrtarëve të lidhur me krimin.

“Duke pasur parasysh angazhimin e SHBA për të luftuar korrupsionin në Shqipëri, të gjithë zyrtarët e mëparshëm dhe aktualë që kanë përdorur postet e tyre për pasurimin personal dhe janë njollosur nga korrupsioni mund të jenë duke pyetur veten “kush e ka radhën?”, – tha e ngarkuara me punë e ambasadës së SHBA në Tiranë.