AKTUALITET, 12 Nëntor 2018, 10:26

“KPK nuk ka bërë hetim të plotë”, nis seanca në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për gjyqtarin Islamaj

“KPK nuk ka bërë hetim të plotë”, nis seanca

Pak javë më parë, KPK konfirmoi në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj. Por me këtë vendim Komisioneri nuk ka qenë dakord dhe e ka apeluar. Sot ka nisur seanca për Edmond Islamaj në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Më 7 qershor gjyqtari i Gjykatës së Lartë u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Në listën e verifikimeve të paplota Komisioneri Publik përmendte transferta parash brenda e jashtë vendit si dhe dyshimet për një apartament e një dyqan në Vlorë, të cilat nuk janë hetuar plotësisht nëse lidhen apo jo me gjyqtarin Islamaj dhe bashkjetuesen e tij S.T.

“Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk është i plotë.

Për rrjedhojë, faktet dhe provat e administruara në përfundim të këtij hetimi administrativ janë të pamjaftueshme për të mbështetur vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit”, shkruhet ndër të tjera në argumentet që Komisioneri Publik ka dorëzuar në KPA më 12 korrik.