TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Vëllezërit Markel dhe Manuel Bushi dhe djali i xhaxhait të tyre, Vinçesk (Pali) Bushi, janë autorët e vrasjes së dyfishtë të ndodhur mbrëmjen e së dielës në qytetin e Laçit, pak metra larg Komisariatit.
Policia e Kurbinit ka bërë identifikimin e autorëve pak orë pas ngjarjes, ndërkohë që sot dy prej tyre janë dorëzuar nw polici. Kelvin dhe Erion Jushi, të njohur dhe me emrat, Mikel dhe Jani, djem xhaxhallarësh, u qëlluan me pistoletë pas një sherri në lokal.
Dyshohet se gjithçka ka nisur nga një debat që 23-vjeçari Manuel Bushi ka pasur me dy personat që mbetën të vrarë. 23- vjeçari ka lajmëruar vëllain e tij dhe djalin e xhaxhait, të cilët kanë shkuar në lokal me armë.
Vëllai i tij, Markel Bushi, rezultonte dhe para kësaj ngjarjeje person i shpallur në kërkim. 24-vjeçari është dënuar për një grabitje me dhunë me pasojë plagosjen, e ndodhur në vitin 2012. Vinçesk Bushi gjithashtu është person me precedent, pasi në vitin 2017, është arrestuar për armëmbajtje pa leje.
NGJARJA
Identifikimi i tre autorëve është bërë përmes kamerave të sigurisë në lokalin ku ndodhi ngjarja. Personat e përfshirë në konflikt, tre autorët dhe dy viktimat kanë dalë në ambientet e jashtme të lokalit për t’u sqaruar, por situata është agravuar duke bërë që të nxjerrin armët.
Kelvin dhe Erjon Jushi, përkatësisht 30 dhe 36 vjeç, kanë tentuar të largohen me shpejtësi pasi kanë parë që dy të rinjtë ishin të armatosur.
Por, Vinçesk dhe Markel Bushi i kanë ndjekur nga pas, duke i qëlluar në një rrugicë ku tentuan që të fshiheshin. Dy kushërinjtë u dërguan me urgjencë në një spital privat në hyrje të Tiranës, por ata ndërruan jetë ende pa mbërritur.
Paraprakisht, thuhet se ngjarja ka ndodhur pas një sherri banal, por ende nuk janë sqaruar plotësisht rrethanat. Në lidhje me ngjarjen, Policia ka shoqëruar 23 persona të cilët po merren në pyetje nga grupi hetimor si dhe janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të lokalit ku ka nisur konflikti.
ISH-FUTBOLLISTI
Njëri nga dy personat që u vra mbrëmjen e së dielës në Laç ka qenë futbollist. Kelvin Jushi, 30 vjeç, ka qenë pjesë e ekipeve të Laçit, Kastriotit dhe Mamurrasit gjatë periudhës 2009-2014. Jushi ishte një person i njohur, pasi përveçse ish-futbollist kishte në pronësi një lokal në qendër të qytetit të Laçit.
Ai kishte miqësi edhe me aktorin e njohur të humorit, Bes Kallaku, pasi edhe ky i fundit ka luajtur me Mamurrasin.