AKTUALITET, 30 Prill 2019, 11:39

Shoku i dhomës “spiunon” CR7: Nuk fliste për femrat, më pyeste njëmijë herë për Milanin


Të shtunën mbrëma, Cristiano Ronaldo shënoi golin e tij të 600-të me klubet. Kjo ndodhi në derbin e Italisë, Inter-Juventus 1-1.

Goli i tij i parë si profesionist erdhi në vitin 2002, kur luante te Sporting. Duke kujtuar atë periudhë, i intervistuar nga “La Gazzetta dello Sport”, Vitali Kutuzov shprehet:

"Unë shënova golin e parë me një diagonale nga e djathta, pastaj erdhi goli i Cristianos. Mbaj mend se fituam 3-0. Lumturia e tij dukej qartë, sepse ishte vetëm 17 vjeç.

Kishte teknikë të veçantë, por kur e mori Ferguson te Manchester United shpërtheu plotësisht. Kur e pashë duke luajtur atje, thashë me vete: O nëna ime, sa i fortë qenka bërë! Që atëherë, ai është përmirësuar kaq shumë".

Kutuzov, gjithashtu, ndau të njëjtën dhomë në klub me Cristiano Ronaldon, sa ishte i huazuar te Sporting Lisbona, me të cilin thotë se fliste shumë për Italinë, por jo për Juventusin:

"Cristiano e dinte se vija nga Milani dhe më bënte njëmijë pyetje për kuqezinjtë.

Në atë kohë vishte edhe fanellën e kuqezinjve, ishte klubi absolut, që preferonte për ta ndjekur në televizion. Ai më pyeste për Maldini, Costacurta, Inzaghi dhe Sheva. Donte të bëhej si ata lojtarë. Interesohej si trajnoheshin kampionët e asaj skuadre të Milanit dhe si kishin përparuar fizikisht".

Fiziku ka qenë gjithmonë një mani për Cristiano Ronaldon, këtë e konfirmon edhe Kutuzov:

"Ai kishte një mënyrë të kujdesit për trupin mbi mesataren. Kur lante dhëmbët, qëndronte para pasqyrës për një kohë të gjatë.

Ai analizonte çdo pëllëmbë të trupit të tij: supet, barkun, këmbët... Ronaldo kalonte shumë kohë në palestër, duke iu kërkuar të gjithëve mendime se si mund të rritej më mirë në këtë drejtim.

Nuk e bënte këtë për të dalë në faqet e para të revistave të modës, por për t’u bërë një futbollist më i mirë.

Femrat ishin jashtë bisedave tona, në atë kohë flisnim vetëm për futbollin".