AKTUALITET, 24 Shtator 2017, 18:07

Merkel fiton zgjedhjet në Gjermani, radikalët e djathtë rezultat surprizues

Gjermania sapo ka mbyllur qendrat e votimit. Exit Polli, sugjeron një fitore të partisë CDU të Angela Merkel, por me një rezultat më të dobët se zgjedhjet e kaluara. Ky rezultat nuk përputhet me sondazhet e muajve të fundit të cilat e nxirrnin partinë e Merkel me një përqindje më të lartë.

Social demokratët e ish-Presidentit të Parlamentit Europian, Martin Schulz,  kanë marrë një rezultat zhgënjyes me vetëm 21%.Një surprizë e vërtetë është rezultati i partisë "Alternativa për Gjermaninë", parti radikale e djathtë me një platformë nacionaliste. Sipas exit pollit kjo parti ka siguruar rreth 13% të votave, dhe nëse numërimi i votave do ta konfirmojë këtë rezultat, AFD do të jetë partia e tretë në Gjermani.

Të dyja partitë e mëdha kanë marrë rezultat zhgënjyese, gjë që konfirmon një trend në Europë, humbjen e besimit të  qytetarëve tek partitë e mëdha, dhe kërkimi i alternativave të tjera, që në rastin konkret duket se ështe partia e nacionalistëve.

 

Deklarata e Angela Merkel:

Angela Merkel mbajti fjalimin e saj në selinë e partisë CDU, pas exit pollit që e nxorri partinë e parë në zgjedhje.

“CDU priste një rezultat më të mirë, megjithatë ne kemi mandatin për formimin e qeverisë së re. Dëshiroj të falenderoj të gjithë votuesit të cilët na besuan. Ne do të bëjmë një analizë për të kuptuar edhe shqetësimet e atyre që votuan partine AFD (radikalët e djathtë). Ne duhet të punojmë për një vend të drejtë dhe të lirë."

Deklarata e Martin Schulz: 

 

Marin Schultz pranoi humbjen pas publikimit të exit poll. Ai foli për rezultatin dërrmues për social demokratët të cilin e quajti një rezultat "të hidhur", dhe nevojën e reformimit të kësaj partie.

"Nuk e arritëm  objektivin tonë. Bëmë një fushatë fantastike. Ata që na votuan, duhet të vazhdojnë të besojnë tek ne. Dua të falenderoj të gjithë votuesit të cilët na besuan.Tashmë do të kemi një parti radikale të djathte në Bundestag. Pranimi i një milionë emigrantëve e ndau shoqërine tonë, dhe gjesti ynë humaitar u keqinterpretua. Kjo ka sjellë rritjen kaq të madhe të radikalëve. Ne duhet të riorganizohemi".

Martin Schulz, ka bërë kërkesën për të dalë nga koalicioni me Merkel, dhe për të kaluar në opozitë. Ai u shpreh se partia Social Demokrate do të jetë një forcë e rëndësishme opozitare. 

Ndërkohë në qytetin e Frankfurt, kanë nisur protesta të shumta kundër partisë nacionaliste "Alternativa për Gjermaninë".

/ TPZ.AL /