AKTUALITET, 1 Nëntor 2017, 18:55

Daja: Skënderbeu im, po aq i fortë sa Partizani i Beogradit

Daja: Skënderbeu im, po aq i fortë sa Partizani i Beogradit

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, tha gjatë konferencës për shtyp në prag të ndeshjes së nesërme kundër Partizanit të Beogradit, se skuadra korçare nuk është më poshtë se ajo serbe. Në “Elbasan Arena” ndeshja u mbyll në barazim 0-0.

Luhet në Beograd sa të vështirë e prisni nesër këtë sfidë?

Jemi të ndërgjegjshëm që kemi një ndeshje të vështirë përballë një kundërshtari që ka traditë në këto kompeticione, por ka dhe lojtarë me potencial shumë të mirë. Ne vijmë për të njëjtin qëllim siç ka objektiv Partizani i Beogradit dhe Jang Bojs. Duke ju referuar tri ndeshjeve të para kemi po aq pikë, po ashtu dhe golaverazh të përafërt. Në ndeshjen e fundit treguam se nuk jemi më poshtë. Besoj se do të bëjmë gjithçka për të dalë me një rezultat pozitiv, pavarësisht se e dimë se do të jetë shumë e vështirë. Duke pasur mbështetjen e tifozëve të tyre do të kërkojnë me patjetër fitoren. Është një motiv i madh, por dhe ngarkesa kalon te skuadra kundërshtare, pasi një ekip që do të fitojë me patjetër ka një ngarkesë emocionale. Duhet të jemi të kujdesshëm, të bëjmë lojën tonë si në fazën eliminatore si në tre ndeshjet e grupit. E dimë forcën e kundërshtarit, po ashtu manovrën kryesore që ka. Është e vështirë, por jo e pamundur për të menaxhuar.

Ku ndryshon ndeshja e nesërme me atë në Elbasan në aspektin taktik?

Pa hyrë në detaje taktike, sigurisht që janë pjesë e punës që nuk mund të prezantohen, ajo që ndryshon është se përshtatja e ekipit kundërshtar është më e madhe, pasi luhet në shtëpinë e tyre. Do të kërkojnë që të jenë më agresiv në kornizën sportive, gjë që duhet ta përballojmë me qetësi, por dhe elementë taktik që të përballojmë këtë lloj presioni, duke qenë se kundërshtari luan në fushën e tij.

Si është gjendja e skuadrës dhe çfarë i trembeni më shumë ndeshjes së nesërme?

Kemi lojtarë që vijnë nga dëmtimi, që nuk janë në gjendjen e tyre optimale dhe kësaj gjëje i druhemi më tepër. Në dy ndeshjet e fundit kemi bërë ndërrime të detyruara. Është një element që duhet ta kemi parasysh, që disa lojtarë titullarë vijnë nga dëmtimet dhe rikuperimi i tyre edhe pse është i plotë, në aspektin e gjendjes fizike nuk është plotësisht optimal.

E keni përgatitur skuadrën për të përballuar çdo situatë?

Do të thosha se duhet të fokusohemi te aspekti sportiv, pasi kemi ardhur të luajmë futboll dhe asgjë tjetër. Shpresoj që në nivel paragjykimi të na kthejnë qetësinë që ne i dhamë çdo kundërshtari në Shqipëri. Nesër duhet të flasë vetëm futbolli. Ne do të fokusohemi vetëm te futbolli, çdo gjë tjetër nuk është në të mirë të futbollit. Nesër do të flasim vetëm për futboll.

Hera e parë që e keni organikën e plotë. Besoni se Soue dhe Gavazaj do të jenë vendimtar në ndeshjen?

Kemi të gjithë lojtarët në dispozicion dhe është hera e parë deri më tani. Është një anë pozitive sepse kemi mundësi të zgjedhim duke parë dhe kundërshtarin, por paralelisht ardhja nga pjesa e dëmtimit, kondicioni i këtyre lojtarëve nuk është maksimali dhe mendoj se do të nisim mirë dhe të shpresojmë mos të kemi probleme gjatë ndeshjes. Deri më tani kemi luajtur futboll në grup dhe nëse duam qësuporti për këto dy lojtarë të jetë i duhuri, këto lojtarë të jen aktiv edhe në mbrojtje. Nëse do të kenë momente që do të kenë superioritet numerik, do na vënë në vështirësi. Do të jetë shërbim reciprok.

30 vite më parë një skuadër shqiptare është kualifikuar këtu…

Ka qenë një përballje e vështire dhe atë herë. Nuk ka ngjashmëri, pasi dinamika që nga ajo kohë ka ndryshuar të dyja skuadrat. Nëse do të jetë fati që do të na ndjekë, pse jo të mos e përsërisim atë sukses, por jemi të ndërgjegjshëm. Ndeshja është shumë e vështirë edhe për meritë të kundërshtarit, që në fushën e tij është shumë i fortë.