AKTUALITET, 14 October 2026, 11:31

Bojkotohet mësimi në disa fakultete/ Studentët e Shkencave të Natyrës i bashkohen protestës, dalin nga auditorët: Duam revolucion

Bojkotohet mësimi në disa fakultete/ Studentët e Shkencave

Studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës i janë bashkuar protestës së nisur nga studentët e Mjekësisë.

Fillimisht ishin studentët e Mjekësisë që u mobilizuan dhe nisën marshimin drejt Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku u bënë thirrje studentëve që t’i bashkoheshin protestës.

Në momentin e mbërritjes së tyre, dera e fakultetit ishte e mbyllur. Megjithatë, pak më vonë, dera u hap dhe studentët dolën nga auditorët, duke iu bashkuar protestës.

Studentët janë dëgjuar një zëri duke hedhur thirrje kundër qeverisë: “Rama në burg, Berisha në burg. Duam revoluicion”.

Më pas ata kane nisur një marshim drejt sheshit “Skenderbej”.

Protesta e sotme ishte paralajmëruar se do të niste sërish në orën 14:00. Por, studentët kanë bojkotuar mësimin në disa fakultete, tek ai i Drejtësisë, Mjekësia, Ekonomiku apo Politekniku.

Një pjesë e studentëve të Mjekësisë marshuan drejt Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku u bënë thirrje studentëve që t’iu bashkohen në protestë. Ishin vetë studentët që lanë ambientet e fakultetit dhe iu bashkuan protestës.

Edhe nxënës të gjimnazit Partizani nuk u futën në mësim mëngjesin e sotëm. Ata dogjën kosha në mes të rrugës së “Dibrës”, duke bllokuar qarkullimin. Studentët po marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit.