AKTUALITET, 13 October 2026, 22:50

"Edhe unë që kam folur jam bërë pishman“, Braçe flet për demokracinë në PS: Një pjesë e institucioneve janë atrofizuar

"Edhe unë që kam folur jam bërë pishman“,

Deputeti i PS-së, Erion Braçe, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, duke folur për demokracinë brenda partisë u shpreh se ai e ka lirinë për të folur, por insticionet në parti janë atrofizuar dhe vendimet po merren duke u bërë si njoftime, pa diskutime në parti. 

“Unë e kam lirinë për të thënë fjalën time brenda PS-së. A dëgjohet apo jo, a trysnohet apo jo kjo është tjetër gjë dhe funksionon si kudo. Një pjesë e institucioneve brenda PS janë atrofizuar. 

A kishte partia, grupi parlamentar për t’u mbledhur disa herë? Në këtë mandat temë më të rëndësishme se kjo nuk mund të kishte. Po si shpjegohet që kryesia, Asamblea e PS-së nuk u mblodh asnjëherë. Grupi parlamentar u mblodh 4 herë dhe nuk foli asnjëherë, dhe kur u mblodh për reformën nuk ishte as 1/3 e grupit, as kryeministri. Kemi humbur sensin e të diskutuarit brenda vetes.

Edhe unë që kam folur jam bërë pishman se jam parë sikur prish qetësinë dhe ekuilibrat aty brenda.

Ne po marrim vendime për 20 vitet që vijnë pa pyetur ata, që janë sot 10, apo 20 vjeç. 

PS duhet të largohet nga vendimet që janë njoftime. Nuk mundet të kalojë PS në procese jetike me njoftime që ngjiten në mur dhe bëhen fakt i kryer.

Nuk mund të kthehemi në partinë ku Berisha mendon dhe vendos për gjithçka. 

Diskutimin e kemi patur në ADN”- u shpreh Braçe.