AKTUALITET, 1 August 2026, 13:10

Berisha për protestat: Nuk po i ndal as temperaturat e larta dhe as “terrori policor”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale edhe për protestat qytetare, që vijojnë pa u ndalur prej më shumë se dy muajsh kundër Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

Ai theksoi se as temperaturat e larta dhe as, siç e quajti ai, “terrori policor”, nuk kanë arritur të ndalin protestuesit shqiptarë kundër Edi Ramës.

Sipas Berishës, “çdo orë, çdo ditë që kalon fakton se Edi Rama nuk ka të ardhme.”

Kreu i PD-së akuzoi Ramën se në daljet e tij publike nuk trajton problemet e qytetarëve, por fokusohet vetëm te ruajtja e pushtetit.

“Narkodiktatori shqiptar, në të gjitha fjalimet e tij, dëshmon dhe fakton tmerrin që i ka kallur në shpirt protesta e fuqishme qytetare…. Në të gjitha pa përjashtim ekziston vetëm përpjekja si e si të mbajë pushtetin, si e si të mbajë në kontroll partinë e krimit”, tha Berisha.

Berisha u ndal edhe te protesta e paralajmëruar për mbrëmjen e sotme, ku qytetarëve do i bashkohet edhe diaspora shqiptare.

“Sot, shqiptarë nga mbarë bota do jenë të pranishëm në bulevardin e protestës, në uraganin e lirisë, ndaj dhe ftoj të gjithë demokratet e demokratët të jenë sonte në këtë uragan që ka tronditur dhe që ka bërë të pashpresë regjimin e Edi Ramës”, tha ai.

Berisha: Situata në Shqipëri karakterizohet nga temperaturat më të larta të motit, por dhe kriza më e thellë politike, e cila po përpin çdo ditë e më shumë jetën e vendit. Protesta rinore qytetare vazhdon me një heroizëm epik.

Mijëra e mijëra të rinj, të reja, qytetare dhe qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë bënë pluhur të gjitha përpjekjet e Edi Ramës për të dëmtuar, për të ndaluar, për të bllokuar protestën rinore qytetare më madhështore të 35 viteve të fundit.

As temperaturat më të larta, as terroret policeske më të egra, as kërcënimet e pafundme, nuk mposhtën dot qëndresën në kushte të jashtëzakonshme, do të thosha, të qytetarëve shqiptarë kundër Edi Ramës.

Çdo orë, çdo ditë që kalon fakton se Edi Rama nuk ka të ardhme.

Por, më shumë se kushdo tjetër, këtë e fakton vetë Edi Rama, i cili i ndryrë në bunkerin e tij ka zgjedhur të mbajë fjalime, llafollogjira, të cilat në shumë aspekte iu ngjajnë shumë atyre që mbante diktatori dikur apo që mbajnë diktatorët e sotëm në Amerikën Latine.

Narkodiktatori shqiptar, në të gjitha fjalimet e tij, dëshmon dhe fakton tmerrin që i ka kallur në shpirt protesta e fuqishme qytetare.

Rikujtoni pak ato fjalime, në asnjërin prej tyre nuk ekziston qytetari.

Në asnjërin prej tyre nuk ekziston Shqipëria.

Në asnjërin prej tyre nuk ekzistojnë problemet madhore të këtij vendi.

Në të gjitha pa përjashtim ekziston vetëm përpjekja si e si të mbajë pushtetin, si e si të mbajë në kontroll partinë e krimit…

Ndërkohë, të dashur miq, PD po vazhdon aktivitetin e saj në përputhje me direktivat e Kuvendit të fundit, organizimit, dixhitalizimit, vizionit dhe këtu çdo ditë punohet me intensitet në këto drejtime.

Por unë dua ta mbyll këtë përshëndetje të shkurtër me thirrjen tuaj, sot është një ditë shumë e veçantë për protestën.

Sot, shqiptarë nga mbarë bota do jenë të pranishëm në bulevardin e protestës, në uraganin e lirisë, ndaj dhe ftoj të gjithë demokratet e demokratët të jenë sonte në këtë uragan që ka tronditur dhe që ka bërë të pashpresë regjimin e Edi Ramës.