AKTUALITET, 1 August 2026, 11:04

Sot skadon kompensimi i naftës me 50 lekë/litër, shoqatat i kërkojnë qeverisë zgjatjen me 3 muaj

Administrata tatimore rikujton kompanitë e sektorit të transportit publik se këtë të shtunë mbyllet afati për të aplikuar për të marrë kompensimin për çmimin e naftës.

“Aplikoni për të përfituar kompensimin prej 50 lekë/litër për karburantin e konsumuar gjatë periudhës mars–prill–maj 2026”, thuhet në njoftim.

Në maj qeveria vendosi të kompensojë çmimin e naftës me 50 lekë për transportin publik, si rezultat i shtrenjtimit të karburantit prej luftës në lindjen e Mesme. Kjo mbështetje është vetëm për mars, prill dhe maj.

Ndërkohë Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas ka kërkuar nga qeveria zgjatjen e kompensimit deri në shtator për shkak se çmimi i naftës ende mbetet i lartë, dhe ditët e fundit ka arritur deri në 214 lekë për litër.

Deklarata e plotë

Në vijim të takimeve dhe komunikimeve të zhvilluara lidhur me situatën financiare të operatorëve të transportit publik, dëshirojmë të rikthejmë në vëmendjen tuaj shqetësimin serioz që vazhdon të ndikojë në mbarëvajtjen e këtij shërbimi me rëndësi jetike për qytetarët.

Rritja e vazhdueshme e çmimit të karburantit, e cila aktualisht ka arritur nivelet më të larta të vitit, ka rënduar ndjeshëm kostot operative të sektorit. Duke pasur parasysh konsumin e lartë të karburantit nga mjetet e transportit publik, kjo situatë ka krijuar një barrë financiare të papërballueshme për operatorët, duke vënë në rrezik vazhdimësinë normale të aktivitetit dhe përmbushjen e detyrimeve kontraktore.

Nëse kjo situatë do të vijojë, ekziston rreziku real i përkeqësimit të likuiditetit financiar të operatorëve, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmbushjen e detyrimeve ndaj punonjësve, furnitorëve, institucioneve tatimore dhe kreditorëve të tjerë. Një situatë e tillë do të cenonte jo vetëm stabilitetin ekonomik të operatorëve, por edhe vazhdimësinë e shërbimit të transportit publik për qytetarët.

Për këto arsye, kërkojmë nga institucionet tuaja që të propozojnë pranë Këshillit të Ministrave vijimin e skemës së kompensimit për operatorët e transportit publik edhe për periudhën qershor, korrik dhe gusht 2026, si një masë e domosdoshme për garantimin e funksionimit normal të këtij sektori.

Njëkohësisht, kërkojmë që procedurat e rimbursimit të thjeshtohen dhe të përshpejtohen, pasi një pjesë e operatorëve ende nuk kanë përfituar pagesat e mëparshme. Përshpejtimi i këtyre procedurave do të ndikonte drejtpërdrejt në përmirësimin e gjendjes financiare të operatorëve dhe në garantimin e vijimësisë së shërbimit.

Duke vlerësuar rëndësinë e transportit publik si një shërbim me interes të lartë publik, besojmë se institucionet që ju përfaqësoni do ta trajtojnë këtë kërkesë me prioritet dhe do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, mbetemi në pritje të një përgjigjeje pozitive.