AKTUALITET, 31 July 2026, 20:55

Konflikti në Tepelenë me tre të dëmtuar/ Policia shpall në kërkim 5 persona, dyshohet se u qëllua me armë në ajër

Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim pesë persona të dyshuar si të përfshirë në konfliktin e ndodhur në orët e para të mëngjesit të 31 korrikut në Tepelenë, ku tre persona mbetën të dëmtuar me sende të forta.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 01:10, ndërsa pas veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, autoritetet kanë identifikuar personat e dyshuar për përfshirje në përleshje.

Në kërkim janë shpallur shtetasit me inicialet R. Ç., 23 vjeç; Sh. Ç., 22 vjeç; A. Ç., 30 vjeç; A. Ç., 58 vjeç dhe H. Ç., 43 vjeç.

Sipas hetimeve paraprake, gjatë konfliktit dyshohet se njëri prej personave të shpallur në kërkim ka qëlluar me armë zjarri në ajër.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet dhe veprimet operative për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve të mëtejshme dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.