TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Këshilli Bashkiak i Rrogozhinës ka miratuar një projektvendim kundër shkrirjes dhe bashkimit të kësaj bashkie me atë të Kavajës, pjesë e diskutimeve për reformën e re territoriale.
Anëtarët e Këshillit Bashkiak kanë dalë kundër këtij plani, pavarësisht bindjeve të ndryshme politike, duke argumentuar se çdo vendim që prek strukturën administrative të zonës duhet të shoqërohet me një proces transparent dhe konsultim me qytetarët.
Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Rrogozhinës, Desi Gixhari, lexoi qëndrimin e përbashkët të anëtarëve, i cili më pas u hodh në votim dhe u miratua.
“Nuk mund të pranohet një vendimmarrje që prek jetën e mijëra qytetarëve pa një proces transparent. Sot, pavarësisht bindjeve politike që kemi, na bashkon mbrojtja e interesit të qytetarëve të bashkisë Rrogozhinë”, deklaroi Gixhari.
Ajo theksoi se dakordësia mes anëtarëve të Këshillit është arritur mbi bazën e interesit të komunitetit.
“Kur bëhet fjalë për interesin e qytetarëve, është inkurajuese që kemi gjetur gjuhën e përbashkët. Kur bëhet fjalë për të ardhmen e Rrogozhinës, interesi ynë qëndron mbi çdo bindje politike”, u shpreh kryetarja e Këshillit Bashkiak.
Vendimi vjen në një kohë kur reforma territoriale e propozuar nga mazhoranca socialiste ka hapur debate në disa zona të vendit, ku bashki të ndryshme kanë shprehur rezerva për ndryshimet e mundshme administrative.