TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Forca e Posaçme Operacionale dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, kanë intensifikuar kontrollet në terren në Tiranë, me fokus parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale.
Kontrollet janë përqendruar në evidentimin e armëmbajtjes pa leje, posedimit të lëndëve narkotike, kapjen e personave në kërkim, si dhe verifikimin e automjeteve luksoze, mjeteve të blinduara, automjeteve me xhama të errësuar tej normave të lejuara dhe mjeteve të modifikuara që shkaktojnë zhurma shqetësuese në qytet.
Si rezultat i operacionit, policia ka kontrolluar dhe verifikuar 61 automjete luksoze, ndërsa janë verifikuar edhe 82 shtetas me precedentë kriminalë në fusha të ndryshme.
Gjatë kontrolleve, 11 automjeteve luksoze u janë hequr xhamat e errësuar, pasi rezultuan në kundërshtim me dispozitat e Kodit Rrugor. Gjithashtu, janë konstatuar dhe hequr 61 xhama të errësuar, përfshirë edhe raste kur errësimi ishte aplikuar në xhamin e përparmë të automjeteve.
Policia ka shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë 5 automjete për verifikime të mëtejshme, ku një prej tyre ishte mjet i blinduar.
Ndërkohë, 6 shtetas janë shoqëruar për procedura të mëtejshme, pasi gjatë kontrolleve u janë gjetur lëndë narkotike, shkopinj bejsbolli, shkopinj metalikë, si dhe është konstatuar një drejtues automjeti që drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
Policia bën me dije se kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme në kryeqytet.