AKTUALITET, 15 July 2026, 19:12

Berisha pas mbledhjes së Kryesisë së PD: Partia vijon misionin për rikthimin e votës së lirë

sali berisha7

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Kryesia e PD ka miratuar propozimet për përfaqësimin e anëtarëve të Diasporës në Këshillin Kombëtar të partisë, ndërsa theksoi se opozita do të vijojë betejën politike për rikthimin e votës së lirë dhe rotacionin e pushtetit.

Pas mbledhjes së Kryesisë, Berisha bëri të ditur se propozimet për Këshillin e Diasporës dhe anëtarët e Diasporës që do të jenë pjesë e Këshillit Kombëtar kanë ardhur nga degët e partisë dhe janë plotësuar gjatë procesit të shqyrtimit.

“Kryesia e PD miratoi propozimet që vijojnë për Këshillin e Diasporës, anëtarët e Diasporës që do jenë në Këshillin Kombëtar. Këto propozime kanë ardhur nga degët dhe janë plotësuar këtu”, u shpreh Berisha.

Ai deklaroi se Partia Demokratike vijon të punojë për rikthimin e votës së lirë të qytetarëve shqiptarë dhe për një ndryshim politik në vend.

“PD vazhdon me të gjithë potencialin e saj misionin e rikthimit të votës së lirë të shqiptarëve dhe natyrisht rikthimin në pushtet, rotacionin e pushtetit”, tha kreu i PD-së.

Berisha komentoi gjithashtu situatën politike në vend, duke e cilësuar këtë periudhë si një moment të rëndësishëm për përplasjen politike.

“Kjo verë e nxehtë në temperatura, është edhe më e nxehtë në rrafshin politik. Ndaj le t’u shprehim nderimin më të madh atyre dhjetëra mijëra qytetarëve që çdo natë luftojnë me diktaturën, me narko-diktaturën, ndër më të egrat dhe të shëmtuarat në Europë dhe në botë”, deklaroi ai.

Sipas Berishës, protestat e zhvilluara në rrugët dhe sheshet e Tiranës përfaqësojnë një kauzë të drejtë kundër asaj që ai e cilësoi si “tirani”.

“Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës, është një betejë e kauzës më të drejtë që mund të ketë njëri. Një betejë me njërin nga tre armiqtë më kryesorë të tij, me tiraninë”, u shpreh ai.

Kreu i demokratëve deklaroi gjithashtu se PD vjen në këtë periudhë si një forcë politike e pamposhtur, duke përmendur protestat dhe aksionet opozitare të zhvilluara gjatë viteve të fundit.

“PD vjen në këto momente si një parti e pamposhtur, si një parti që kundër kësaj diktature autoritare zhvilloi në tre vite mbi 400 protesta, zhvilloi me qindra akte-veprime kundër saj. Vjen në këtë moment pasi ajo ia doli të denoncojë me sukses në mbarë botën farsën elektorale”, përfundoi Berisha.