AKTUALITET, 15 July 2026, 17:57

Balla akuzon gazetarin e BIRN pas një postimi ironik, Koçeku: Fjala e lirë nuk intimidohet

2ffec1b05e3149468a25d9bf84fc1fbd.jpg

Një përplasje virtuale ka ndodhur së fundmi mes kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe gazetarit të BIRN, Gjergj Erebara, pas një postimi ironik të këtij të fundit në rrjetin social Facebook.

Shkak për debatin është bërë një fotografi e modifikuar me inteligjencë artificiale e postuar nga gazetari Erebara. Në të, ironizohej Balla dhe përdorimi i dronit nga ky i fundit për të monitoruar protestat e qytetarëve. Erebara e shoqëroi postimin me shënimin ironik:

"Urgjent të mblidhen 30 patronazhistë ta bëjnë P-në B. Pranohen edhe trafikantë droge nga Elbasani. Kjo foto është krijim artistik dhe nuk reflekton postim real.", shkruan Erebara.

Pas këtij postimi, kreu i grupit të PS-së reagoi ashpër, duke shënjestruar jo vetëm gazetarin, por edhe organizatën BIRN Albania, dhe duke vënë në pikëpyetje profesionalizmin e gazetarit dhe etikën e medias.

"Ky 'falsifikator' qenka redaktor/bashkëpunëtor i BIRN Albania, një organizatë që u merrka me gazetari investigative si dhe me trajnimin e gazetarëve dhe projekte për forcimin e transparencës dhe llogaridhënies. Hajde mision hajde. Hajde gazetari investigative hajde. TURP!...", shkruan Balla.

Në mbështetje të gazetarit dhe medias, ka reaguar edhe deputetja Koçeku, e cila nënvizoi rëndësinë e BIRN-it si një media serioze dhe kredibile në Shqipëri. Në një postim në Facebook ajo theksoi se, organizata ka qenë ndër vite një nga mediat më serioze dhe më të besueshme në vendin tonë, dhe gazetaria investigative është një domosdoshmëri për demokracinë.

Në reagimin e tij,  Balla u kërkoi llogari donatorëve ndërkombëtarë që financojnë këtë media, duke përmendur Fondacionin Shoqëria e Hapur në Shqipëri (OSFA), Agjencinë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA) dhe ambasada të ndryshme, për të vlerësuar nëse ky lloj komunikimi përputhet me vlerat që ata financojnë.

"BIRN ka qenë ndër vite nji nga mediat ma serioze dhe ma të besueshme në vendin tonë. Gazetaria investigative asht nji domosdoshmëri për demokracinë. Pikërisht falë punës së gazetarëve të saj, opinioni publik ka njoftë shumë çështje që përndryshe kishin me mbetë në errësinë. Sulmi publik i kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së ndaj gazetarit Gjergj Erebara nuk asht thjesht nji përplasje me nji individ. Asht nji mesazh i gabuem ndaj çdo gazetari dhe qytetari që ushtron profesionin me pavarësi dhe integritet. Nji nga matësit e pushtetit asht mënyra se si i trajton ata që e kritikojnë atë. Fjala e lirë nuk hidhet në kosh dhe nuk mund të intimidohet.
Solidarizohem me gazetarin Gjergj Erebara dhe do të jem gjithnji në krah të çdo gazetari a media që, me profesionalizëm e guxim, i shërben dhe e shkruan të vërtetën, e mbron interesin publik, të drejtën, dhe e informon qytetarin dhe proteston bashkë me të kundër çdo lloj fallcifikatori politik.", shkruan Koçeku.