TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se Këshilli i Ministrave miratoi sot një paketë ndryshimesh ligjore që synojnë modernizimin e mëtejshëm të sistemit financiar në vend dhe përafrimin e tij me direktivat e Bashkimit Evropian.
Në një deklaratë pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Malaj u shpreh se ndryshimet prekin tre ligje të rëndësishme, ligjin “Për shërbimet e pagesave”, ligjin “Për sistemin e pagesave” dhe ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”.
Sipas ministrit, këto projektligje synojnë jo vetëm forcimin e kuadrit ligjor financiar, por edhe krijimin e një sistemi më efikas dhe më të sigurt, në përputhje me standardet evropiane.
“Kemi propozuar ndryshime për ligjin e sistemit të pagesave. Kemi propozuar ndryshime për ligjin e shërbimeve të pagesave, si dhe disa ndryshime për ligjin e bankave në Republikën e Shqipërisë. Këto ndryshime, të cilat ne i kemi propozuar, kanë si qëllim jo vetëm modernizimin e sistemit aktual financiar në Shqipëri, por janë edhe në funksion të përafrimit të të gjithë kuadrit tonë ligjor dhe harmonizimit të plotë të tij me direktivat e Bashkimit Evropian“, u shpreh ai.
Ai tha se “ndryshimet sjellin përfitime konkrete për qytetarët dhe biznesin, përmes reduktimit të kostove të shërbimeve financiare, rritjes së sigurisë dhe efikasitetit të sistemit financiar, forcimit të mbrojtjes së konsumatorëve, si dhe nxitjes së konkurrencës dhe inovacionit në treg”.
“Gjithashtu, këto ndryshime janë në funksion edhe të kuadrit të negociatave që janë në kuadër të kapitullit 4 dhe që lidhet me lëvizjen e lirë të kapitalit. Ndër ndryshimet e propozuara ka, natyrisht, edhe benefite për qytetarët dhe bizneset në Shqipëri. Ndër to, mund të përmend se do të kemi një reduktim të kostove për sa i përket transaksioneve financiare. Do të ketë një mbrojtje më të mirë të konsumatorëve. Do të kemi një rritje të sigurisë së sistemit tonë financiar, si dhe, natyrisht, nga ana tjetër, nxit konkurrencën dhe efikasitetin në këtë treg”, tha ministri.
Malaj nënvizoi se “këto ndryshime jo vetëm përmirësojnë sistemin aktual financiar të Shqipërisë, por diktojnë, natyrisht, edhe ecurinë ekonomike të vendit, pasi një sistem financiar i shëndoshë dikton edhe një ekonomi të shëndoshë”.