TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Punësimi në vitin 2025 u karakterizua nga një rënie e lehtë në nivel kombëtar, por me diferenca të forta mes qarqeve. Sipas të dhënave të INSTAT, numri total i të punësuarve në 2025, pësoi tkurrje vjetore prej 4,886 të personash ose 0.4%.
Rënia më e thellë u regjistrua në Kukës, ku punësimi ra me 18.2% në raport me një vit më parë. Numri i të punësuarve në këtë qark zbriti në 28,323 persona në 2025, nga 34,621 në vitin 2024, me 6,298 vende pune më pak. Kukësi vijon të jetë ndër qarqet më të ekspozuara ndaj tkurrjes demografike, emigracionit dhe varfërisë, faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt edhe në tregun e punës. Sipas të dhënave 68 e të punësuarve në këtë qark punojnë në bujqësi, më të larti në rang vendi teksa kontributi prodhimi bujqësor kombëtar është më i ulëti.
Pas Kukësit, rënien më të madhe e shënoi Gjirokastra, ku numri i të punësuarve ra me 15.1%. Në këtë qark u numëruan 29,540 të punësuar në vitin 2025, nga 34,809 një vit më parë, me një humbje prej 5,269 vendesh pune. Tkurrja e popullsisë në moshë pune, largimi i të rinjve dhe përqendrimi i aktivitetit ekonomik në pak sektorë e bëjnë këtë qark më të ndjeshëm ndaj luhatjeve të punësimit.
Elbasani regjistroi rënien më të madhe në numër absolut, me 8,162 të punësuar më pak. Punësimi në këtë qark zbriti në 102,712 persona, nga 110,874 në vitin 2024, me një rënie prej 7.4%. Kjo tregon një dobësim të tregut lokal të punës në një qark me peshë të rëndësishme industriale dhe shërbimesh, ku ristrukturimi i aktiviteteve ekonomike dhe lëvizja e fuqisë punëtore drejt Tiranës dhe emigracionit kanë ndikuar në uljen e numrit të të punësuarve.
Rënie të ndjeshme pati edhe Korça, me 4,737 të punësuar më pak, ose -5.2%, ndërsa Shkodra humbi 2,921 të punësuar, me një tkurrje prej 3.9%. Dibra gjithashtu shënoi rënie, me 1,682 të punësuar më pak, ose -3.2%.
Në kahun tjetër, Tirana ishte qarku që kompensoi pjesërisht rënien në qarqet e tjera, duke shtuar 17,986 të punësuar, ose 5.1% më shumë se në vitin 2024. Kjo tregon se tregu i punës po përqendrohet gjithnjë e më shumë në kryeqytet, ku ndodhen pjesa më e madhe e shërbimeve, administratës, ndërtimit, teknologjisë dhe aktiviteteve me produktivitet më të lartë.
Të dhënat tregojnë një polarizim të tregut të punës dhe ekonomisë, pasi Tirana vijon të tërheqë punësim dhe fuqi punëtore, ndërsa qarqet periferike, veçanërisht Kukësi, Gjirokastra, por edhe ato të qendrës si Elbasani, po përballen me humbje të ndjeshme vendesh pune. Arsyet kryesore lidhen me emigracionin, plakjen e popullsisë, zhvendosjen e fuqisë punëtore drejt Tiranës dhe dobësinë strukturore të ekonomive lokale./ Monitor