BLOG, 6 November 2026, 12:27

Dorëzimi përballë hajdutërisë

Dorëzimi përballë hajdutërisë

“Në vitin 1968 ndjesia e përgjithshme ishte se në botën që po vjen ti mund të q.je kë të doje. Në vitin 2008 ndjesia është se gjithkush dhe gjithçka-njerëz dhe institucione- mund të të q..në ty.”
I besojmë mosbesimit, Ivan Krastev.
Pikërisht kjo shprehje e famshme më erdhi në mendje teksa po nisja këtë tekst. Ndjesia e përgjithshme është që çdo personazh me pushtet po na q.n çdo ditë dhe ne jemi të pafuqishëm të ndryshojmë diçka.
Ne e kuptojmë botën sipas receptorëve tanë marrës (syve, veshëve, lëkurës, hundës dhe gjuhës). Sapo e marrim informacionin bazë, e bluajmë në Trurin tonë dhe produkti që del prej andej është perceptimi.
Perceptimi është një proçes thellësisht individual dhe dallon shpesh nga e vërteta. E vërteta është vetëm një ndërsa perceptimet janë të pafundme.
Zakonisht, dallimi më i madh mes perceptimit dhe të vërtetës ndodh në Tru, pra në “fabrikën e bluarjes së informacionit”. Dikush bluan hollë e dikush më trashë, dikush është mirëbesues e dikush konspirativ, dikush ka vënë filtrin e interesit personal dhe dikush atë kolektiv etj etj. Dikush nuk e bluan fare por dëgjon dikë tjetër dhe e merr të gatshëm.
Bota në përgjithësi funksionon sipas perceptimit jo sipas të vërtetës.
Nëse shumica e njerëzve besojnë se një fakt është iluzion atëherë nuk ka pikë rëndësie qënia e tij si fakt. Bota do ta injorojë atë përderisa dikush do ta ndriçojë mendjen e të gjithëve dhe t’i bindë ata se fakti ekziston. Evolucioni shkencor është i mbushur përplot ngjarje ku faktet janë tallur. Episodi më i njohur është ai i Galileit kur në gjyqin publik deklaroi nën zë: “Eppur si muove” –“E megjithatë ajo rrotullohet) – si pohimi më i famshëm i faktit ndaj perceptimit. E gjithë bota e kohës së tij mendonte (e perceptonte ashtu) sikur Dielli lëvizte rreth tokës.
Mirëpo kjo është shkencë. Dhe në shkencë apo edhe në jurisprudencë si shkencë e ligjit, rëndësi kanë faktet jo perceptimet.
Ndërsa në politikë është e kundërta. Faktet nuk kanë kurrfarë rëndësi nëse perceptimi i publikut është i kundërt me to. Në politikë kanë më shumë rëndësi “gjyqet popullore” sesa ato institucionale. Në një epitet pak më elegant “gjyqet popullore” mund të quhen edhe opinion publik.
Tani dua të dal te rasti i zonjës Balluku. Prokuroria e Posaçme, për të ndihmuar veten dhe për të dëmtuar zonjën Balluku, (siç ka bërë me shumë të tjerë para saj) ka bërë publike disa fakte nga dosja e saj penale. Për shembull ka publikuar biseda ku anullonte tendera për “seç kam një ndijim ashtu” ose jepte porosi se aksh tender t’i jepej iks biznesmeni. Ose ka folur me një fjalor prej halabaku për Kryeministrin e vendit duke krijuar përshtypjen e një urrejtjeje ndaj tij (Palloshi i Gjatë). Ose ka komunikim me arkitektë për mobilimin e një vile në bregdet që nuk është e saj por që, sapo të mbarojë ai mobilim, ajo ka për të jetuar si mbretëreshë në një jaht luksoz. Nuk po zgjatem më shumë.
E vërteta mundet të mos dalë kurrë pasi jurisprudence vepron me fakte, prova. Zonja Balluku ka qenë një njeri shumë i kujdesshëm për të mos lënë gjurmë. Gati paranojake. E megjithatë ka lënë aq vend për dyshime. Plot dyshime. Të cilat mundet të mos bëjnë të gjitha bashkë asnjë fakt. Ose edhe ndonjë fakt që Prokuroria e ka në dorë, zonja Balluku mundet ta blejë dhe zhdukë. Dhe në fund fare ajo mund të dalë e pafajshme penalisht me vendim gjykate.
Por në perceptimin publik zonja Balluku është një mafioze vulgare, një injorante fodulle, një shantazhuese ordinere dhe një kancer për paratë publike. Ky është një element që nuk merret në konsideratë nga Gjykata. Për fat të keq as nga Kryeministri. Ai vazhdon me kryeneçësinë bizarre të tij të këmbëngulë për persekutimin e një kryemafiozeje.
Dhe kjo e ka zvogëluar imazhin e tij prej Skënderbeu në një ushtar të marr peng. Ne jetojmë të gjithë në një vend të vogël, bisedojmë me njëri tjetrin, jemi kundër dhe pro për shumëçka. Por kur vjen puna për Belindën, të gjithë biem dakort, dikush me zë të lartë e dikush me zë të ulët: “E ka marrë peng…”
Dhe për ta bërë më komike dramën që po jetojmë, ndihmon pyetja retorike e apostujve të hajdutërisë:
“ Ja iku ky, kush do të vijë”?
Ai i sat ëme do të vijë. Ky është dorëzimi i një shoqërie përpara hajdutërisë!