AKTUALITET, 15 July 2026, 17:10

Sekuestrohet mbi 111 kg kokainë në Itali/ Arrestohen tre persona, mes tyre një shqiptar

83532e90b6444c57ab16dd944f77704e.png

Autoritetet italiane kanë goditur një tjetër rrjet të trafikut të drogës, duke sekuestruar mbi 111 kilogramë kokainë gjatë një operacioni të zhvilluar nga Guardia di Finanza.

Aksioni përfundoi me arrestimin e tre personave, mes tyre edhe një shtetas shqiptar, si dhe me sekuestrimin e rreth 19 mijë eurove në para të gatshme, të cilat dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal.

Sipas mediave italiane, operacioni u koordinua nga Zyra e Prokurorit të Ankonës dhe nisi pas një sërë kontrollesh të kryera në zonat kryesore tregtare të rajonit Marche.

Gjatë hetimeve, oficerët e Guardia di Finanza ndoqën lëvizjet e një automjeti deri në provincën e Parmës, ku konstatuan shkëmbimin e disa çantave me shoferin e një kamioni të rëndë.

Kontrollet në kabinën e kamionit zbuluan 100 blloqe kokaine, me një peshë totale mbi 111 kilogramë, si dhe rreth 19 mijë euro cash, të cilat dyshohet se përbënin pagesën për transportin e drogës.

Tre të arrestuarit, me origjinë shqiptare dhe rumune, u dërguan në burgun e Parmës, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrjetit kriminal vijojnë.

Sipas autoriteteve, sasia e sekuestruar e kokainës së pastër, e fshehur në kamion, do të kishte gjeneruar rreth 20 milionë euro në tregun e paligjshëm të drogës.