AKTUALITET, 7 Maj 2019, 19:40

Basha në Shkodër: Edi Rama i ka orët e numëruara

Basha në Shkodër: Edi Rama i ka orët e numëruara


Nga Shkodra, kreu i Partisë Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama se po kthen burgimet politike. Lulzim Basha iu referua ndalimeve të protestuesve të Unazës së Re, mes tyre edhe ish-deputeti Klevis Balliu të cilit sot pasdite iu komunikua arresti në flagrancë. Basha tha se në Shqipëri nuk do të kthehet kurrë më koha kur policia e shtetit që paguhet nga taksat e qytetarëve të dhunojë qytetarët.

Sot Shqipëria gjendet në një udhëkryq ku përsëri ata që paguhen me taksat e shqiptarëve për të mbrojtur qytetarët nga antiligji kanë dhunuar qytetarët në mes të Tiranës dhe mbajnë sot në qelitë e burgut të burgosur politik të cilët janë ngritur për të mbrojtur qytetarët nga dhuna kriminale e bandës policore. Sot në mesditë njerëz të veshur me uniformën e policisë së shtetit kanë dhunuar qytetarë që mbrojnë shtëpitë e tyre kur njerëzit tanë, përfaqësues të PD, ish-deputet si Klevis Balliu dhe të tjera figura politike u ngritën për të bërë të vetmen detyrë që kemi, të qëndrojmë në krah të njerëzve siç po qëndrojmë dhe do të qëndrojmë deri në fitore. 

Kanë urdhëruar arrestimin e tyre. Sot është dita kur Edi Rama do të kthejë të burgosurit politik në Shqipëri, sot është dita kur Edi  Rama zyrtarisht po përdor policinë e shtetit për të dhunuar ligjin dhe qytetarët që janë në krah të ligjit. Ndaj sot është dita dhe ky është vendi për t’ia thënë qartë dhe prerë: I ke orët e numëruara! Kurrë më ky vend nuk do të pranojë që policia e paguar me taksat e qytetarëve të dhunojë qytetarët ndërsa mbron kriminelët, hajdutët, oligarkët. Kurrë më nuk do të pranojmë që ligji të funksionojë me dy standarde. 

Deklaratat Basha i bëri në aktivitetin e degës së PD  në Shkodër, ku tha se pavarësisht se qeveria ka politizuar gjithçka, 200 të rinj e të reja i janë bashkuar PD.