AKTUALITET, 7 Maj 2019, 19:20

‘Rama u përkul’: Media greke komenton rivendosjen e tabelave

‘Rama u përkul’: Media greke komenton rivendosjen e tabelave


Disa ditë pasi Greqia u detyrua të reagonte ashpër ndaj qeverisë shqiptare për çështjen e pronave të minoritetit, vjen një tjetër përplasje. Mediat greke i kanë kushtuar një hapësirë të konsiderueshme heqjes së tabelave rrugore në jug të vendit.

ProNews shkruan se Edi Rama u ‘përkul’, duke deklaruar se tabelat do të rikthehen pasi heqja e tyre ka qenë një problem burokratik. Në fakt tabelat janë rikthyer që të martën.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Giorgos Katrougalos tha se do ndërmerren veprime ligjore për të mbrojtur grekët etnikë në Shqipëri.

Madje ai paralajmëroi se në qershor Greqia mund të bllokojë integrimin e Shqipërisë nëse ajo nuk tërhiqet.

Por nëse zyrtarët e partisë Syriza po i tregojnë ‘muskujt’ Shqipërisë, nuk pritet që situata të bëhet më mirë pas zgjedhjeve në Greqi. Kyriakos Mitsotakis, lideri i Demokracisë së Re, që udhëheq sondazhet, ishte ndër ata që u tregua më i ashpër ndaj Shqipërisë në mars.

Ai tha se duhet vendosur vetoja greke nëse ka ndonjë lëvizje kundër minoritetit grek si një mesazh i qartë ndaj Shqipërisë.