AKTUALITET, 4 Dhjetor 2017, 11:53

Basha ironizon Ramën: Nuk ka asgjë spektakolare, qytetarët në mëshirë të fatit

Pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, se qeveria ka bërë punë të mirë dhe se përmbytjet e ditëve të fundit nuk kanë qenë të përmasave të mëpërshme, ka reaguar lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në një postim në rrjetin social, faceboo, Basha ironizon , kryeministrin, i cili mëngjesin e sotëm publikoi një foto nga lumi Seman duke e cilësuar atë spektakolare.  Basha publikon dy foto nga Darzeza dhe thotë se aty nuk ka asgjë spektakolare, përveç  baltës dhe mjerimit në të cilat janë tashmë familjet e përmbytura.

Postimi i plotë

Nuk ka asgjë spektakolare në Darzezë, në Ferras e në shumë fshatra të tjera të Fierit ku balta ka mbuluar dhjetëra shtëpi e ka shkaktuar dëme të rënda materiale. Dhe në Dërmenas po ashtu.

Asgjë spektakolare nuk ka në Novoselë e në zona të tjera të Vlorës ku, si pasojë e përmbytjeve, ka mungesa bazike, nga ushqimet tek dritat dhe uji.

Asgjë spektakolare nuk ka në Fushë-Krujë, në Bilaj, në fshatin Hasan dhe lagje të tjera, ku uji dhe balta kanë përmbytur e marrë me vete shumë pasuri dhe kursime të qytetarëve.

Po, ka dy gjëra spektakolare!

Spektakolare është përpjekja për ta nxjerrë këtë fatkeqësi në media e në ekrane si sukses qeveritar!

Spektakolare është braktisja e qytetarëve nga qeveria dhe lënia nën mëshirë të fatit pas asnjë ndihmë!

Edi Rama duhet ta lërë propagandën e t’u zgjidhë hallet mijëra familjeve, që janë prej tre ditësh pa ujë, pa ushqime e drita!

Edi Rama duhet t’i dëmshpërblejë për humbjet e pallogaritshme që kanë pësuar, pasi dimri është i gjatë dhe i papërballueshëm në këto kushte.

TPZ.AL