SPORT, 23 Gusht 2020, 09:31

Barcelona gjen zëvendësuesin e Suarezit, Kuman kërkon sulmuesin e Holandës


Shënojeni këtë emër: Memfis Depaj. Është sulmuesi i përzgjedhur nga Ronald Kuman për skuadrën e Barcelonës. Sipas “RAC1”, sulmuesi holandez (26 vjeç) shihet si lojtari ideal për të zëvendësuar Luis Suarezin.

Uruguaiani është në listën e largimeve, por nuk dëshiron që t’i braktisë katalanasit. Por Kuman do të ketë shumë peshë në merkato sepse kjo ishte një nga kërkesat që ai kishte për drejtuesit e Barcelonës përpara se të hidhte firmën në kontratë për të nisur projektin e ri.

Memfis Depaj aktualisht është lojtar i Lionit dhe njihet për shpejtësinë e tij dhe për forcën fizike. Bëhet fjalë për një lojtar polivalent, që përveçse mund të luajë në rolin e numrit 9, mund të luajë shumë mirë edhe nga krahët.

Memfis ka shënuar 9 gola në 13 ndeshje të luajtura në kampionatin francez. Ai u aktivizua shumë pak prej dëmtimit, por edhe prej pezullimit të këtij kampionati.

Në Ligën e Kampioneve arriti që të realizonte 6 gola. Për më tepër, do të jetë një objektiv më lehtësisht i arritshëm sesa Lautaro Martinez, i cili është i pari në listën e dëshirave për drejtuesit e Barcelonës. Depaj mund të kushtojë 40 milionë euro.