AKTUALITET, 27 October 2026, 11:56

Thyhet siguria/ Vrasësi i dënuar me burgim të përjetshëm arratiset nga burgu amerikan

Thyhet siguria/ Vrasësi i dënuar me burgim të

Një person i dënuar për vrasje me burgim të përjetshëm është arratisur nga një burg në shtetin amerikan të Tenesit, duke kaluar gardhin e sigurisë dhe duke vjedhur më pas një kamion për t’u larguar. Autoritetet vijojnë kërkimet për 28-vjeçarin Jacob Morley, i cili ende nuk është lokalizuar.

Sipas Departamentit të Burgjeve të Tenesit, stafi i institucionit “Northwest Correctional Complex” konstatoi rreth orës 23:30 të së dielës, më 25 tetor, se Morley, nuk ishte në qeli.

Pamjet e kamerave të sigurisë treguan se ai kishte kaluar gardhin rrethues të burgut dhe ishte larguar nga ambientet e institucionit i veshur me uniformën e të burgosurit. Autoritetet nuk kanë bërë të ditur se si arriti të kapërcente sistemin e sigurisë.

Sipas Byrosë së Hetimit të Tenesit, rreth orës 01:00 të së hënës, më 26 tetor, Morley vodhi një kamionçinë të bardhë Ford F-350, të vitit 2008, me targa të shtetit të Tenesit. Departamenti i Zjarrfikësve në Hornbeak, rreth 24 kilometra larg burgut, publikoi pamje ku automjeti i vjedhur shihet duke kaluar pranë ndërtesës së tij rreth orës 01:18.

Morley ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e shkallës së parë të Cody Birchfield, i cili ishte raportuar i zhdukur në shkurt të vitit 2022. Trupi i viktimës u gjet disa javë më vonë, i vendosur brenda një kutie nën shtëpinë e Morley-t, raportoi agjencia Associated Press.

Ai ishte dënuar gjithashtu për vepra të tjera penale, përfshirë vjedhje me dhunë, manipulim të provave, shmangie të arrestimit dhe vandalizëm.

Byroja e Hetimit të Tenesit e ka përfshirë Morley-n në listën e personave më të kërkuar dhe ofron një shpërblim deri në 2500 dollarë për informacion që ndihmon në arrestimin e tij.

Ky është rasti i dytë i arratisjes së një të burgosuri nga kujdestaria e Departamentit të Burgjeve të Tenesit brenda një jave.