TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Anulohet sërish ndeshja e vlefshme për turin para-eliminator të Europa leagues, mes skuadrës nga Gjibraltari Lincoln Red IMPS dhe Prishtinës, për shkak të infektimit të një pjese të madhe të futbollistëve të klubit nga kryeqyteti i Kosovës.
Skuadra vendase zbriti në fushë për të zhvilluar ndeshjen, ndërsa Prishtina nuk u lejua nga autoritetet e Gjibraltarit, me pretendimin se shumë futbollistë janë të prekur nga Covid-19, sipas rezultatit të testeve të kryera atje dhe se skuadra duhej të qëndronte në karantinë.
Klubi i Prishtinës pritet të kthehet sonte në mbrëmje në Kosovë, ndërsa fati i takimit tani është në dorë në institucioneve pranë UEFA-s, që do të vendosin se si do të procedohet apo kush do të kualifikohet për më tej.
Ndërkohë Prishtina ka reaguar në rrjetet sociale, ku ka vënë në dukje se për të dytën herë ndeshja është anuluar nga autoritetet lokale të Gjibraltarit, të cilat nuk kanë lejuar kurrsesi futbollistët të dalin nga karantina.
Në reagim klubi kryeqytetas nënvizon faktin se kishte dërguar në UEFA edhe formacionin me të cilin do të luante pasditen e sotme, ku kishte marrë përsipër të luante me ata 11 lojtarë që nuk kishin rezultuar pozitivë dhe pa kryer asnjë zëvendësim.
Klubi kosovar nuk i fshehu dyshimet edhe për pasaktësi të testeve të kryera në Gjibraltar, pasi njëri prej futbollistëve që ka rezultuar pozitiv atje, e ka kaluar koronavirusin më tepër se një muaj më parë.
Pikërisht për këtë çështje, Prishtina ka deklaruar se do t’i dërgojë futbollistët menjëherë drejt një laboratori të licencuar nga UEFA për t’iu nënshtruar testimit dhe më pas për të vënë rezultatet në dispozicion të qeverisë europiane të futbollit.