TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë është miratuar në parim gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve ditën e sotme në Kryesinë e Kuvendit.
Në mbledhje ishte e pranishme edhe zv.guvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Holta Zaçaj. Ndërkohë, opozita braktisi mbledhjen e Komisionit, pas debateve mbi protestat studentore të javëve të fundit në Tiranë dhe qytete të tjera.
Nisma parashikon ndryshime në kuadrin ligjor që rregullon funksionimin e bankës qendrore, me synim përafrimin me standardet evropiane. Megjithatë, vëmendje të veçantë kanë tërhequr dispozitat që lidhen me imunitetin e drejtuesve të institucionit, si dhe raporti mes pavarësisë së bankës, llogaridhënies dhe kontrollit ligjor.
Sipas draftit, parashikohet një procedurë e posaçme për arrestimin ose kontrollin e guvernatorit dhe zëvendësguvernatorëve, e cila kërkon autorizim paraprak nga Gjykata Kushtetuese.
Një tjetër dispozitë e diskutuar lidhet me informacionet që Banka e Shqipërisë mund të klasifikojë si konfidenciale ose sekret. Drafti parashikon kufizime për kompetencën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit në shqyrtimin e këtyre vendimeve.
Projektligji u publikua për konsultim publik më 15 korrik 2026, ndërsa konsultimi u mbyll më 12 gusht 2026.
Pas miratimit në parim në komision, projektligji duhet të vijojë procedurat parlamentare përpara se të marrë formën përfundimtare të ligjit.