BALLKAN, 16 Qershor 2023, 15:33

Tensionet në veri, Escobar ashpërson tonet dhe paralajmëron: Pasojat për ata që refuzojnë partneritetin!

Tensionet në veri, Escobar ashpërson tonet dhe paralajmëron:

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka ashpërsuar tonet sa i  takon përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës. Ai deklaroi se kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, duhet të punojnë në lokacione alternative, Polica e Kosovës të tërhiqet nga ndërtesat komunale, që protestuesit të largohen nga rruga dhe përgjegjësit e dhunës së 29 majit ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, duhet të mbahen përgjegjës para autoriteteve.

Escobar ka thënë se ambasadorët amerikanë në Kosovë dhe Serbi nuk e kanë përmendur kurrë fjalën sanksion, por pasoja. “Ata që duan të jenë partnerë me ne, duhet të punojnë afër me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, në pikat në të cilat jemi duke insistuar. Një lider nuk mund të ketë në dorë drejtimin e gjithë rajonit. Prandaj, ata që refuzojnë partneritetin do të kenë pasoja”.

Escobar ka thënë se të dyja palët kanë rol në uljen e tensioneve. Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri:

Shtensionimin e situatës atje

Mbajtjen e zgjedhjeve të reja

Kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale. Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe protestojnë vazhdimisht para ndërtesave komunale prej 29 majit. Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë të enjten se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.