TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Deputetja e Partisë Popullore në Serbi, Sanda Rashkoviç Iviç deklaroi se presidenti serb Aleksandër Vuçiç synon që të mobilizojë fëmijët serbë për luftë në Kosovë. Sanda Rashkoviç Iviç e krahason lëvizjen e Vuçiçit të ngjashme me atë që bëri Adolf Hitleri në vitin 1945, ndërsa shtoi se presidenti serb duhet të bëjë kontroll psikiatrik.
Duke komentuar deklaratën e Vuçiçit se fëmijët serbë të moshës 12 dhe 13 vjeçare në Kosovë janë të gatshëm të vdesin “sepse janë ngopur me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti”, Rashkoviç Iviç tha se kjo është një deklaratë e papërgjegjshme.
“Ka shumë kohë që nuk kam dëgjuar diçka kaq të çmendur, të pashpirt dhe të papërgjegjshme. Të thuash se fëmijët 12 dhe 13 vjeç duan të vdesin është tipike vetëm për shtetet islamike ku mbretëron xhihadi. Kështu ishte edhe në vitin 1945 në Gjermaninë naziste, kur Hitleri nuk kishte më askënd që të mobilizonte për luftë. Nuk mund të jepet vlerësime për gjendjen mendore të asnjë personi pa një ekzaminim paraprak ‘tet a tet’. Sigurisht që është një deklaratë e çmendur dhe e papërgjegjshme dhe ata që bëjnë deklarata të çmendura dihet se do të trajtohen më tej. Vuçiç e pranoi planin franko-gjerman dhe tani po thotë se fëmijët serbë janë gati të vdesin kundër atyre me të cilët ai është pajtuar me atë plan”, tha Rashkoviç Iviç.
Kujtojmë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha sot se situata në Kosovë është “tmerrësisht e rëndë dhe se fëmijët e moshës 12 dhe 13 vjeç janë gati të vdesin, sepse të gjithë janë ngopur me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Nuk mund të fle asnjë natë. Sepse ndryshe nga ju, unë e di se çfarë ndodh çdo natë në veri të Kosovës. Gjithçka po vlon. Fëmijët e moshës 12-13 vjeç janë gati të vdesin, gjë që duhet ta parandalojmë. Janë ngopur me Kurtin”, tha Vuçiç.