BALLKAN, 15 Qershor 2023, 16:00

U morën forcërisht nga ‘Kobrat’ serbe, Kurti viziton familjarët e policëve të arrestuar

U morën forcërisht nga ‘Kobrat’ serbe, Kurti viziton

Kryeministri Albin Kurti i ka vizituar këtë të enjte familjarët e tre zyrtarëve policorë, për të cilët autoritetet e Kosovës besojnë se janë rrëmbyer nga autoritetet serbe. Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti i ka vizituar familjarët e Beqir Sefës, Rifat Zekës dhe Shemë Mustafës, në Mitrovicë, në fshatin Peran të Komunës së Podujevës, dhe fshatin Letanc të Komunës së Podujevës, respektivisht.

Kurti u ka thënë familjarëve të zyrtarëve policorë se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, është në kontakt me institucionet atje për të marrë për shumë informacione për ta.

Kryeministri i Kosovës i ka realizuar këto vizita, një ditë pas arrestimit të zyrtarëve policorë. Autoritetet e Kosovës besojnë se bëhet fjalë për rrëmbim në territorin e Kosovës, ndërsa autoritetet në Serbi kanë deklaruar se ata janë arrestuar në territorin serb. Policia e Kosovës e ka konsideruar këtë akt “rrëmbim klasik”, dhe rasti është dënuar rëndë nga ky institucion. Kurti, i ka kërkuar edhe faktorit ndërkombëtar që të dënojë veprimet e Serbisë, dhe ka thënë se është “i habitur nga heshtja e tyre”.