AKTUALITET, 6 Tetor 2018, 15:54

‘Babalja’/ Rama: Autorë e pagatorë të këtij krimi duhet të paguajnë. Basha: I ke venë zjarrin shtetit ligjor

‘Babalja’/ Rama: Autorë e pagatorë të këtij

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të prokurorisë, e cila doli në konkluzionin se audiopërgjimi i publikuar nga PD, i cili implikon vëllain e Fatmir Xhafajt, Agron Xhafaj, në pazare droge, është i montuar.

Përmes një mesazhi në ‘Twitter’ Rama përshëndeti vendimin e Prokurorisë, që kërkoi arrestimin e Albert Veliut, i njohur si ‘Babalja’ apo dëshmitari X, Fredi Alizotit, si detyrim paraqitje për gazetarin Jetmir Olldashin. Me ironi kreu i qeverisë pohoi se shpreson që arrestimi i aktorëve të ‘Babale 1’ të jetë fillimi dhe jo fundi i drejtësisë.

“Uroj që arrestimi i aktorëve të Babale 1 të jetë fillimi,jo fundi i drejtësisë mbi një maskaradë të orkestruar për të llahtarisur dynjanë e rrëzuar qeverinë!Pas mjeranëve të paguar për t’u përgjuar,qëndrojnë autorë e pagatorë të këtij krimi që duhet të paguajnë deri në fund?”, tha Rama.

Pas vendimit të Prokurorisë, e cila kërkoi arrestimin e Albert Veliut, i njohur si ‘Babalja’ apo dëshmitari X, Fredi Alizotit, si detyrim paraqitje për gazetarin Jetmir Olldashin, vjen reagimi nga Lulzim Basha. Ky i fundit përmes një mesazhi në Twitter tha se me aktin e sotëm kryeministri Edi Rama i ka vënë flakën shtetit ligjor.

Basha tha se tashmë nuk ka mbetur rrugë tjetër për të vënë banditët para përgjegjësisë, përveç rrëzimit me çdo mjet të mafias në pushtet.

“Kush priste dicka tjetër nga prokuroria Rama-Marku-Xhafa- Prela është vetëm naiv. Agron Xhafaj që i fshihej prej 5 vitesh drejtësisë me ndihmën e vëllait, u largua me urgjencë drejt Italisë, që të mos përballej me hetimin dhe akuzat që prokuroria e kapur i quan sot montim. Sot çdo shqiptar e kupton më qartë se kurrë pse Edi Ramës i duhej prokuroria nën komandën e tij. Me aktin e sotëm Rama i ka vënë zjarrin shtetit ligjor. Tani nuk ka mbetur rrugë tjetër për të vënë banditët para përgjegjësisë përveç rrëzimit me çdo mjet të mafias në pushtet”, -shkruan Basha.

Prokuroria arriti në konkluzionin se audiopërgjimi i publikuar nga PD, i cili implikon vëllain e Fatmir Xhafajt, Agron Xhafaj, në pazare droge, është i montuar. Ndaj Krimet e Rënda ngritën akuzë për tre persona, ndërsa mes tyre ka gjetur edhe ‘interpretuesin’ e vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj. Ndërkohë pak ditë më parë mbërriti në Ministrinë e Drejtësisë ekspertiza e laboratorit anglez mbi audiopërgjimin.