AKTUALITET, 21 Dhjetor 2017, 22:43

Artan Hoxha zbulon sesi u futën flakadanët në parlament nga deputetët

Artan Hoxha zbulon sesi u futën flakadanët në parlament nga

Gazetari investigativ, Artan Hoxha i ftuar sot në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 tregon detaje të reja nga betimi aspak i zakontë i kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku, më 18 dhejtor, në seancën e fundit të Kuvendit për vitin 2017-të.

Duke u ndalur tek një shkrim i gazetës italiane “La Stampa” që e krahasonte Kuvendin atë ditë me një stadium e deputetët me tifozët më të këqinj, Hoxha tregon edhe prapaskenat e asaj dite, se si u mundësua hyrja e flakadanëve që ndalohen edhe në stadiume.

Përgjegjës për këtë veprim janë katër deputetë të Kuvendit, siç bën me dije gazetari.

“Pjesën e brendshme të Kuvendit të Shqipërisë e siguron Garda e Republikës. Kamerat e brendshme atë ditë kanë fiksuar çdo veprim të kryer nga deputetët dhe nga trupat e gardës. Nga pamjet filmike është dokumentuar se katër deputetë të opozitës kanë futur në ambientet e brendshme mjetet piroteknike, ose flakadanët. Sensorët e sigurisë nuk kanë mundur t’i interceptojnë sepse flakadanët nuk kanë pjesë metalike por janë prej kartoni. Është hera e parë që në Kuvendin e Shqipërisë përdoren flakadanë. Deputetët që i kanë futur janë favorizuar edhe nga fakti që selia e PD-së është shumë pranë. Flakadanët e përdorur në Kuvendin e Shqipërisë janë të njejtë me ato që përdorin tifozët në stadiumet e futbollit dhe përdorimi i tyre dënohet edhe në ambiente sportive, si nga FSHF ashtu edhe UEFA e FIFA, jo më në një ambient të mbyllur dhe të sigurusë së lartë si Parlamenti”,- tha Hoxha.

Sipas Hoxhës, ky akt i pandodhur ndonjëherë më parë ka detyruar edhe Gardën e Republikës të rishikojë rregulloren e saj. “Për shkak të ngjarjeve të fundit Garda po rishikon rregulloren e funksionimit të saj brenda ambienteve të Kuvendit dhe po merr masa që të pengojë në të ardhmen futjen e sendeve apo mjeteve që mund të përdoren si mjet sulmi ndaj personaliteteve të larta shtetërore dhe deputetëve”,- shton, ai siç raporton “BalkanWeb”