AKTUALITET, 24 Gusht 2022, 09:53

Vrasja e Madrit Ulqinakut, zbardhen detajet e operacionit që çoi në prangosjen e autorit 18-vjeçar. Si u gjet arma e krimit në lumë

Vrasja e Madrit Ulqinakut, zbardhen detajet e operacionit që çoi

Pas arrestimit të autorit të dyshuar të vrasjes së 33-vjeçarit Madrid Ulqinaku mbrëmjen e 17 gushtit në Elbasan, Policia ka arritur të gjejë edhe armën e zjarrin me të cilën u krye krimi, që do të jetë një provë e rëndësishme për hetuesit.

Arma e llojit pistoletë është gjetur në ujërat e lumit Shkumbin, në vendin ku autori i dyshuar i krimit u ka treguar hetuesve se e kishte hedhur.

Pistoleta ishte e mbushur me gjashtë fishekë, ndërsa i riu u vra me një plumb në kokë, duke mbetur i vdekur në vend.

“Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi armën e zjarrit pistoletë me një krehër me 6 fishekë në të, të cilat u gjetën pas kërkimeve intensive nga ana e shërbimeve, në shtratin e lumit Shkumbin”, sqaroi Policia.

Tanimë, arma e sekuestruar pritet t’i nënshtrohet ekspertizës balistike, në mënyrë që hetuesit ta faktojnë me prova shkencore autorësinë e 18-vjeçarit në vrasje.

OPERACIONI

Operacioni i koduar “The end”, detajet e të cilit u publikuan dje, bëri me dije se përveç 18-vjeçarit Horgito Peqini, në pranga ka përfunduar edhe bashkëpunëtori i tij në krim, 33-vjeçari Klaudjan Sallufi. Policia tha se arrestimi është bërë edhe në bashkëpunim me familjarët, të cilët i kanë kërkuar të riut të dorëzohej.

“Në kuadër të këtij operacioni, si rezultat i kontrolleve të shumta të zhvilluara nga Policia e Elbasanit, si dhe i negocimeve me familjarët, u bë e mundur vënia në pranga e shtetasve Horgito Peqini, 18 vjeç dhe Klaudjan Sallufi, 33 vjeç”, sqaroi Policia.

Ndaj tyre, Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për këta shtetas, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Më herët është arrestuar edhe një tjetër person dhe Policia tanimë e konsideron të mbyllur rastin, duke çuar prapa hekurave tre personat e përfshirë në ngjarjen e rëndë që tronditi qytetin e Elbasanit mbrëmjen e së mërkurës së shkuar. Tanimë do të jetë Gjykata e Elbasanit që do të caktojë masën e sigurisë për dy të arrestuarit.

NGJARJA

Krimi i rëndë u regjistrua mbrëmjen e 17 gushtit, në afërsi të stadiumit “Elbasan Arena”.

Ngjarja, sipas dëshmisë së njërit prej të arrestuarve, ka ndodhur për arsye banale.

Pas ekzekutimit të 33-vjeçarit Eiden Dino, i dyshuar si bashkëpunëtor në krim dhe i prangosur nga Policia, tha se para vrasjes, treshja kishte konsumuar alkool dhe lëndë narkotike të llojit kokainë.

“Pasi kemi pirë disa birra, Klaudio dhe Horgito, të dy kanë konsumuar disa viza kokainë, mesa mbaj mend, tre-katër viza secili. Unë vetë kam pirë vetëm birra dhe nuk kam konsumuar lëndë narkotike kokainë. Kur unë vajta te shtëpia, pashë që Klaudjani kishte pistoletë mbi divan. Kur dolëm Horgito mori pistoletën dhe e futi në marsupin që kishte apo në brez, kurse Klaudjani mori një thikë në dorë dhe me pyeti: ‘… kë do mbash në çantë thikën apo mos e do ti pistoletën?’.

Unë i thashë që do të mbaj thikën, se pistoletë nuk kam mbajtur ndonjëherë. Futa thikën në çantën marsup që kisha me vete, e cila është e zezë… Kur ishim në rrugë, sapo kalon stadiumin, unë po ecja para me Horgiton, kurse pas nesh, në më pak se 1 metër po ecte Klaudjani.

Në një moment unë shikoj që 2 persona kishin kapur nga duart Klaudjanin dhe po bënin llafe me atë. Horgito ndërkohë po i bërtiste Madritit dhe i tha: ‘Ta q…. r…’, dhe sapo tha këtë Horgito, nxori pistoletën nga çanta e zezë, ia drejtoi armën Madritit dhe i qëlloi me armë një herë dhe Madriti u rrëzua në tokë”, ka thënë ai./Panorama