AKTUALITET, 23 Gusht 2022, 18:35

Ilir Meta kujton Ditën Europiane të viktimave të regjimeve totalitare: Të mos ndalemi në luftën ndaj shfaqjeve të sotme të autoritarizmit

Ilir Meta kujton Ditën Europiane të viktimave të regjimeve

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka kujtuar sot Ditën Europiane të të përkujtimit të viktimave të regjimeve totalitare dhe autoritare. Me anë të një postimi në Facebook, ish-Presidenti thekson se kjo është ditë kujtese, homazhi por edhe aktualiteti që na thërret për Lirinë.

Sipas Metës, nuk duhet të ndalemi në luftën ndaj shfaqjeve të sotme të autoritarizmit.

“Në Ditën Europiane të përkujtimit të viktimave të regjimeve totalitare dhe autoritare nderojmë sot me respekt dhe përulje jetët e pafajshme të martirizuara në emër të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor.

Nderojmë gjithashtu dhembjet dhe sakrificat e mijëra të burgosurve, të të mbijetuarve në kampet e vdekjes, si dhe të familjeve të persekutuara dhe të internuara padrejtësisht, simbole të përhershme rezistence dhe qëndrese ndaj së keqes.

Kjo ditë kujtese, homazhi por edhe aktualiteti që na thërret për Lirinë, të frymëzojë angazhimin tonë të përbashkët dhe të pandalshëm për të mos e ndalur luftën ndaj shfaqjeve të sotme të autoritarizmit, në mbrojtje të demokracisë, lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor”, shkruan Meta.