AKTUALITET, 23 Maj 2023, 17:11

Tjetër aksident në punë, 26-vjeçari bie nga lartësia në një pallat në ndërtim, plagoset rëndë

Tjetër aksident në punë, 26-vjeçari bie nga

Një tjetër aksident në punë, ku ka mbetur i plagosur një 26-vjeçar.

Ngjarja ka ndodhur në kryeqytet, në rrugën "Besnik Hidri". Në një pallat në ndërtim e sipër, dyshohet se aksidentalisht ka rënë nga lartësia ku ishte duke punuar shtetasi E. H., 26 vjeç.

Si pasojë 26-vjeçari është dëmtuar dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Në më pak se një javë dy punëtorë ndërtimi kanë rënë nga skelat dhe janë vrarë, ndërsa 4 të tjerë janë plagosur në Tiranë dhe Vlorë. 

Aksidenti i parë ndodhi në 19 maj në Vlorë në zonën e Ujit të Ftohtë, ku punonjësi i identifikuar si A.P. 60 vjeç ra nga skela dhe humbi jetën. Policia e Vlorës raportoi arrestimin e bashkëpronarit të pallatit, një 70-vjeçar, i akuzuar për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm” me pasoja të rënda, me qëllim fitimi, pasi nga verifikimet e kryera ka rezultuar se punimet në këtë pallat po kryheshin pa lejen e organeve kompetente.

Po ashtu u arrestua edhe administratori dhe drejtuesi teknik i firmës, A.K. 53 vjeç, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” me pasoja të rënda, me qëllim fitimi dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Në Tiranë aksidenti i rëndë ndodhi të dielën, kur sipas policisë një 50-vjeçar humbi jetën pasi ra nga skela e një pallati në ndërtim. “Rreth orës 08:10, në rrugën “Besa”, në një pallat në ndërtim e sipër, dyshohet se aksidentalisht ka rënë nga lartësia ku ishte duke punuar shtetasi A. B., 50 vjeç, i cili si pasojë ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim. Policia e Tiranës nuk ka bërë me dije përgjegjës për rastin.

Tre aksidente të tjera me pasojë lëndime të rënda të punëtorëve ndodhën po ashtu në këtë sektor në pesë ditët e fundit. Një punëtor ra në kontakt me korrentin, një tjetër u godit nga një vinç në Palasë, ndërsa një i tretë ra nga lartësia.

Megjithë aksidentet e rënda në sektorin e ndërtimit, nuk ka pasur ndonjë reagim nga institucionet shtetërore.