AKTUALITET, 23 Maj 2023, 16:00

VIDEO/ "Na grinë ata të dyshekëve nëpër telefon", deputeti i PD ngre shqetësimin në komision: Dalim fitues çdo gjysmë ore, thua se iu hap barku për ne

VIDEO/ "Na grinë ata të dyshekëve nëpër

Një shqetësim të zakonshëm për të gjithë qytetarët, deputeti i PD-së Saimir Korreshi e ka bërë prezent duke e ngritur sot në komisionin e Ligjeve. 

Këtë të martë në komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ndër të tjera, u mbajt një seancë dëgjimore për raportin vjetor të veprimtarisë së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale gjatë vitit 2022. Deputeti demokrat Saimir Korreshi ngriti një shqetësim që shkaktoi jo pak të qeshura në sallë.

Për të telefonatat që bëjnë kompani të ndryshme që bëjnë promocione për dyshekë, janë diçka shqetësuese. Deputeti demokrat duket se ka dalë në përfundimin se këto kompani përpos numrit të telefonit, kanë akses në të dhëna të tjera demografike të qytetarëve, si mosha, vendbanimi e të tjera.

“Nuk e di, a ju kanë marrë ju në telefon, na grinë ata të dyshekëve nëpër telefon. Edhe, vdiqa mor burrë i dheut. Këta të telefonisë, a mbajnë ndonjë përgjegjësi? Në qoftë se nuk e keni shqetësim ju këtë muhabet...Për dyshekët, na grinë në telefon. E shoh që marrin për kategori të caktuara, për grupmosha të caktuara, për qytete të caktuara. E shoh që krahas numrit të telefonit kanë edhe të dhëna të tjera. Dalim fitues çdo gjysmë ore. Se nuk e dimë ne, iu hap barku për ne. Kanë të dhëna sensitive”, tha deputeti.


Pavarësisht gazit të ligjvënësve në sallë, komisioneri Besnik Dervishi e pranoi se kjo është një çështje që mbetet shqetësuese.