AKTUALITET, 23 Maj 2023, 14:35

Rikthehet Task Forca për ndalimin e qeseve plastike, dy ministret paralajmërojnë: Intensifikojmë kontrollet dhe masat ndëshkuese

Rikthehet Task Forca për ndalimin e qeseve plastike, dy ministret

Nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u zhvillua sot një takim me përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike në vend. E pranishme në këtë takim ishte dhe Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Ky takim zhvillohet bazuar në Urdhrin e Kryeministrit Nr. 190,  datë 15.11.2022 “Për përbërjen, mënyrën e organizimit dhe funksionimin të Task – Forcës për ndalimin e përdorimit, hedhjes në treg, prodhimit, importimit apo futjes në territorin e Republikës së Shqipërisë të qeseve plastike mbajtëse, si dhe qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme dhe oxo-biodegradueshme”, si dhe të Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 367, datë 30.5.2022 “Për Përcaktimin e Masave të hollësishme dhe Institucioneve Përgjegjëse për ndalimin e përdorimit, hedhjes në Treg, prodhimit, importimit apo futjes në territorin e Republikës së Shqipërisë të Qeseve Plastike Mbajtëse, si dhe Qeseve Plastike Mbajtëse të Oxo-Degradueshme apo Oxobiodegradueshme, ndryshuar.

Gjatë takimit të sotëm, palët diskutuan mbi rikoordinimin e punës sensibilizuese dhe zbatimit të përgjegjësive të secilit institucion, për vijimin e kontrolleve në terren për ndalimin e përdorimit dhe tregtimit të qeseve plastike, si dhe të marrjes së masave të parashikuara ligjore në rastet kur konstatohet mos zbatimit i ligjit.

Nga ana e saj, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, kërkoi që institucionet përgjegjëse të angazhohen seriozisht gjatë periudhës në vijim në përcaktimin e planeve të punës dhe kontrolleve në terren, në mënyrë që të përmbushin detyrimet e tyre ligjore për ndalimin e përdorimit, tregtimit dhe hyrjes në vendin tonë të qeseve plastike.

Nga ana e saj, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaroi, pohoi faktin se fushata sensibilizuese e ndërmarrë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore që ndalonin përdorimin e qeseve plastike dha efekte pozitive në treg. Megjithatë, edhe znj. Kumbaroi theksoi rëndësinë e vijimit të punës dhe kontrolleve në terren, në mënyrë që të mos lejohen abuzimet dhe të zbatohen detyrimet ligjore sa i përket ndalimit të përdorimit të qeseve plastike.

Urdhri i Kryeministrit parashikon disa përgjegjësi dhe detyrime të një sërë institucioneve, si Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektoriati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, apo edhe njësitë e vetëqeverisje vendore përmes policisë bashkiake, për ndalimin e përdorimit, hedhjes në treg, prodhimit, importimit apo futjes në vend të qeseve plastike mbajtëse si dhe të qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme dhe oxo-biodegradueshme.

Pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit u angazhua në një fushatë të gjerë sensibilizuese lidhur me ndalimin e përdorimit dhe tregtimit të qeseve plastike.

Dy institucionet në varësi të MFE, ISHMT dhe DPD kanë ushtruar përgjegjësitë përkatëse, me synimin kryesor sensibilizimin e subjekteve tregtare për mos përdorimin e qeseve plastike. Më konkretisht, ISHMT ka zhvilluar një sërë inspektimesh në terren, ndërsa DPD ka krijuar profile risku në bazë të kodeve tarifore ku përfshihen qeset plastike dhe ka kryer një sërë kontrollesh të deklaratave doganore.

Gjatë periudhës në vijim, të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces do të koordinojnë punën mes tyre dhe do të fokusohen në ushtrimin e kontrolleve dhe inspektimeve, në mënyrë që të garantohet zbatimi i ligjit sa i përket qeseve plastike.