AKTUALITET, 23 Maj 2023, 14:03

"Rama paguhet për të bërë punën, jo tur falenderimesh", Arlind Qori: Unë nuk kam munguar në mësim

"Rama paguhet për të bërë punën, jo tur

Kandidati për kryebashkiak të Tiranës Arlind Qori ka komentuar truin e falenderimeve që po bën kryeministri Edi Rama në vend, pas fitores së zgjedhjeve lokale.

Me anë të një postimi në Facebook, Qori shkruan se edhe kush kishte statusin e kandidatit për kryebashkiak, shkonte në mësim pasi e detyronte ndjenja e përgjegjësisë që kishte. Ndërkohë që ka theksuar se Rama paguhet nga populli shqiptar për të ushtruar detyrën e kryeministrit.

Postimi i Plotë:

Statusi i kandidatit për kryetar bashkie më lejonte ta pezulloja mësimin gjatë fushatës elektorale. Gjithsesi ndjenja e përgjegjësisë për detyrën dhe studentët më bënë të shkoja në mësim. Çka shkonte për shtat edhe me idenë time që politika duhet të jetë një angazhim qytetar përtej punës dhe profesionit.

Ndërkohë shoh që Edi Rama, i shoqëruar nga një shpurë ministrash e zyrtarësh të shtetit, ka nisur një tur falënderimesh nëpër Shqipëri. Kujtoj se zotëria në fjalë paguhet nga populli shqiptar për të ushtruar detyrën e kryeministrit.

Pra të shkojë në punë që në mëngjes dhe të vrasë mendjen gjithë ditën për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Afërmendsh, edhe po të qëndronte në zyrë, nuk është se do të bënte ndonjë punë të paqme.

Për të dhe sivëllezërit e tij, puna e kryeministrit është si të ujdisë ndonjë licencë, tender a PPP, prej të cilave përfitojnë oligarkët dhe vetë ata. Gjithsesi fakti që u ka ikur turpi dhe vazhdojnë të sillen si në fushatë edhe pas zgjedhjeve është treguesi i radhës i degjenerimit të një pushteti politik që s’ka më kurrfarë lidhjeje me qytetarët dhe nevojat e tyre.

Ata vazhdojnë ahengun, ne do të përforcojmë rezistencën! - Fotoja është shkrepur nga një takim pasditeje me studentë në shkallët e Korpusit të Universitetit Politeknik të Tiranës.