AKTUALITET, 30 Gusht 2022, 15:05

Telenovela "Vis Martinaj", spekulimet arrijnë kulmin prej paaftësisë kronike të Policisë për të sqaruar publikun

Telenovela "Vis Martinaj", spekulimet arrijnë kulmin prej

Prej më shumë se dy javësh, spekulimet për fatin e banditit të shumëkërkuar, Ervis Martinaj, kanë arritur kulmin duke u kthyer në një telenovelë me shumë seri. 

Nga pretendimet se trupi i tij është ndarë në gjashtë pjesë, te rrëmbimi dhe oferta 50 milionë euro pët t'u liruar dhe deri tek inskenimi i zhdukjes drejt ndonjë vendi si Dubai, për t'ju shpëtuar bandave rivale, populli shqiptar po "bombardohet" me informacion në formë investigimi-spekulimi-thashethemi nga të katër anët, veçanërisht nga gazetarë të kronikës.  

Policia e Shtetit, i vetmi institucion që në fakt duhet të reagonte për të sqaruar zyrtarisht atë që dihet (apo nuk dihet) për fatin e Martinajt, apo të paktën për të mohuar, një pjesë të lajmeve që qarkullojnë, pasi ato shpesh janë kontradiktore me njëra tjetrën, nuk duket gjëkundi. 

Telenovela mori një kthesë të bujshme, pas arrestimit të agjentit të Operacionales, Jeton Lami, i cili kishte shoqëruar Martinajn në arrati. Lajmi, qe në fakt një njollë më shumë për Policinë e Shtetit, por kaloi pa ndonjë bujë të madhe edhe nga opozita, e cila shpesh e akuzon policinë për lidhje me krimin e organizuar, por në këtë rast duket se nuk i bëri shumë përshtypje që vetë policia shoqëronte Ervis Martinajn e arratisur. 

Kjo "marrëzi" informative në formë telenovele gjysmë turke dhe gjysmë latine, mund të marrë fund vetëm kur Policia e Shtetit, të tregojë minimumin e seriozitetit duke sqaruar aq sa të jetë e mundur qytetarët, se çfarë ka ndodhur me këtë personazh, i cili nuk është (apo ishte) një personazh i rëndomte, por një peshk shumë i madh i krimit të organizuar.