AKTUALITET, 30 Gusht 2022, 12:00

Arrestimi i “Boss-it” të kriptomonedhave, mediat turke: Bledar Çuçi telefonoi homologun që në mëngjes, pritet ekstradimi

Arrestimi i “Boss-it” të kriptomonedhave, mediat turke: Bledar

Shtypi turk po pasqyron në faqet e para lajmin për arrestimin e të shumëkërkuarit Faruk Fatih Özer.

Në mediat turke thuhet se ka qenë  ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledar Çuçi, i cili në orët e para të mëngjesit ka njoftuar homologun e tij turk, Süleyman Soylu, se Özer është kapur në qytetin e Vlorës dhe se identiteti i tij është konfirmuar nga rezultatet biometrike.

“Kanë nisur procedurat e ekstradimit të Faruk Fatih Özer në Türkiye nga Departamenti i Interpolit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë”, thuhet në njoftim.

Prokuroria më 22 prill 2021 filloi zyrtarisht hetimin pas denoncimeve të përdoruesve për mos qasje në llogaritë e bursës së kriptovalutave Thodex dhe se pronari i kompanisë ishte larguar jashtë vendit.

Në këtë kuadër u konfirmua se pronari i kompanisë i dyshuari Faruk Fatih Özer ishte larguar jashtë vendit më 20 prill 2021.

Më pas u lëshua një urdhër ndalimi për shumë persona të dyshuar përfshirë edhe Özer ndaj të cilit më parë ishte nxjerrë një urdhër arresti. Gjithashtu ndaj Özer më 23 prill 2021 ishte lëshuar një buletin i kuq nga Interpoli.

Mësohet se Departamenti i Interpolit në Drejtorinë e Përgjithshme të Sigurisë ka nisur procedimin për ekstradimin e Ozerit drejt Turqisë.