TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kredia për ekonominë ka vijuar rritjen edhe gjatë verës, megjithëse me ritme më të ngadalësuara krahasuar me pjesën e parë të vitit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia e re për korrikun arriti vlerën e 24.5 miliardë lekëve, me një rritje prej 2.1% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Për 7-mujorin e parë të vitit, kredia vazhdon të qëndrojë në nivelin më të lartë në të paktën shtatë vitet e fundit. Për periudhën janar-korrik janë dhënë gjithsej 160.6 miliardë Lekë kredi të reja me 20% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Duke qenë se shifrat e kredisë nuk janë të korrigjuara për efektin e kursit të këmbimit, realisht rritja e huadhënies mund të jetë edhe pak më e lartë në pjesën e portofolit të kredisë në Euro.
Kredia vazhdon të shfaqë ecuri pozitive, si në segmentin e bizneseve, ashtu edhe në atë të individëve.
Kredia për bizneset në muajin korrik kishte vlerën e 17.8 miliardë Lekëve, 4.8% më shumë krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Edhe bilanci progresiv i 7-mujorit ngelet në rritje. Kompanitë private përfituan gjithsej 104.8 miliardë lekë kredi, me një rritje prej 22.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, kredia për kompanitë publike nuk ka regjistruar volume domethënëse në muajt e fundit. Kompanitë e sektorit energjetik nuk i janë drejtuar më tregut bankar për financime dhe janë mbështetur kryesisht tek financimet direkte të qeverisë shqiptare. Kredia e re e dhënë gjatë këtij viti prek një shumë totale prej arriti një vlerë totale prej 4.6 miliardë lekësh, në rritje me 27.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, në pjesën dërrmuese kjo dkredi është dhënë gjatë muajit janar, ndërsa në vijim shumat e disbursuara kanë rënë ndjeshëm.
Ndërkohë, kredia e re për individët në korrik shënoi një frenim për herë të parë gjatë këtij viti. Kredia e re kishte vlerën e 6.7 miliardë lekëve, 5.3% më pak krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Sidoqoftë, për 7-mujorin kredia e re ngelet në rritje të ndjeshme me 14.7% krahasuar me një vit më parë. Kontributin kryesor në rritje vazhdon të japë huaja për blerjen e pasurive të paluajtshme dhe sidomos ajo e dhënë në valutë të huaj.
Në fund të muajit korrik, portofoli total i kredisë për ekonominë arriti në vlerën e 704.3 miliardë Lekëve ose rreth 6 miliardë Euro. Teprica e kredisë është shtuar me rreth 2.3 miliardë lekë gjatë muajit korrik. Portofoli i kredisë për ekonominë rezulton në rritje me 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Teprica e kredisë për ekonominë ka arritur nivelet më të larta historike, e mbështetur nga rritja e kredisë së re dhe sidomos nga rritja e peshës së huasë afatgjatë, sidomos e lidhur me blerjen e pasurive të paluajtshme. Shtrenjtimi i çmimeve në tregun e pronave është gjithashtu një faktor që po nxit rritje më të lartë të kredidhënies.
Në segmentin e biznesit, portofoli ka një rritje vjetore prej 8.5%, ndërsa për individët rritja ngelet në vlera më të larta, me 13.2%./Monitor