AKTUALITET, 6 Maj 2023, 20:53

“Teatri Kombëtar do të ndërtohet aty ku ishte, ashtu siç ishte”, Këlliçi takim me aktivistë: Zotohem se pas 14 majit do të rikthejmë zonën historike të qendrës së Tiranës…

“Teatri Kombëtar do të ndërtohet aty ku ishte, ashtu

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, është zotuar se Teatri Kombëtar i shembur nga qeveria, do të ndërtohet pas 14 majit, aty ku ishte dhe ashtu siç ishte.

Komentet Këlliçi i bëri gjatë një takimi me aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, ku tha Teatri ishte një pjesë e historisë së Tiranës.

Ai shtoi se pas 14 majitm nëse zgjidhet kryebashkiak, do të rikthejë zonën historike të qendrës së Tiranës, siç ka qenë para vitit 2018.

“Faleminderit për këtë aktivitet të organizuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Unë nuk do të lodhem kurrë së thëni premtimin tim në lidhje me Teatrin Kombëtar. Këta artistë edhe pse janë tradhëtuar nga miq të tyre, artistë të tjerë, edhe pse Bashkia e Tiranës ua ka nxirë jetën, ata vijojnë të jenë në krye të kësaj lëvizjeje.

Karrigja është e përkohshmem njeriu është i përjetshëm. Unë si një djalë i këtij qyteti ju shpreh mirënjohjen pa kufij për çfarë keni bërë. Jam i bindur se në këtë shesh në 17 maj, në atë natë të tmerrshme kur është shembur teatri kombëtar në mënyrë të pabesë nga kryetari i bashkisë, kam provuar për herë të parë shijen e prangave.

Kanë qenë me dhjetëra qytetarë e artistë që janë arrestuar, janë goditur atë natë, a thua se po goditeshin bandat kriminale, njerëzit e korruptuar dhe trafikantët dhe jo qytetarët që kishin dalë në mes të natës, në mbrojtje të një kauze qytetare. Se çfarë ka bërë Veliaj për Tiranën, mjafton të shihni vetëm metrat e katrorëve që ai ka dhënë për beton. Ka dhënë 7.5 milionë metra katrorë leje ndërtimi.

Sot që ne flasim, kemi parë në dhjetor një ceremoni që ka kushtuar dhjetëra mijëra euro dhe këtu pas kemi vetëm një gropë financiare. Nga sheshi i Teatrit dua të zotohem para jush. Teatri Kombëtar, pas 14 majit, me Belind Këlliçin kryetar bashkie, do të ndërtohet aty ku ishte dhe ashtu siç ishte. Padiskutim do të rikthejë zonën e mbrojtur historike të qendrës së Tiranës, ashtu siç ishte para vitit 2018”, u shpreh Këlliçi.