TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Projekti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP) ka publikuar një artikull ku pasqyron kritikat ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama për financimin me para publike të koncertit të reperit Ye (i njohur më parë si Kanye West), të mbajtur të shtunën në Tiranë.
Sipas OCCRP-së, kritikët e akuzojnë qeverinë se e ka shndërruar koncertin në një spektakël politik, me synimin për të zbehur jehonën e protestave antiqeveritare që prej javësh zhvillohen në kryeqytet. Qeveria miratoi një fond prej 400 milionë lekësh (rreth 4.9 milionë dollarë) nga fondi rezervë i shtetit për të mbështetur koncertin e 11 korrikut. Fondet do t’i transferohen Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit për një aktivitet që, sipas qeverisë, synon promovimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë përmes kulturës dhe turizmit.
Shkrimtari dhe analisti Fatos Lubonja deklaroi për Shteg.org, partner i OCCRP-së, se kjo vendimmarrje i ngjan modelit të qeverisjes “bukë dhe cirk”, ku paratë publike shpenzohen për argëtim ndërkohë që vendi përballet me probleme shumë më të thella.
“Ndoshta po e bën edhe për t’iu kundërvënë kësaj proteste, për të organizuar një spektakël të madh që njerëzit të thonë: ‘Shikoni sa shumë njerëz u mblodhën atje'”, citohet të ketë thënë Lubonja.
Ai vuri në pikëpyetje arsyen pse shteti duhet t’i japë miliona dollarë një kompanie private për një artist komercial, i cili, sipas tij, nuk kontribuon në zhvillimin kulturor të vendit. Lubonja e cilësoi financimin një skandal dhe e krahasoi atë me vendime të tjera të shpenzimeve publike gjatë qeverisjes Rama, të cilat kritikët i kanë konsideruar jotransparente ose të motivuara politikisht.
Nga ana tjetër, qeveria e ka mbrojtur vendimin si një investim në turizëm. Në memorandumin shpjegues të shqyrtuar nga Shteg.org dhe OCCRP, autoritetet argumentojnë se koncerti nuk duhet parë vetëm si një aktivitet privat, pasi pritet të tërheqë vizitorë të huaj dhe të sjellë përfitime për hotelet, transportin, restorantet dhe sektorin e shërbimeve.
Sipas dokumentit, kompania Redcloud i kërkoi Ministrisë së Turizmit mbështetje urgjente financiare më 3 korrik, duke argumentuar se aktiviteti rrezikonte të mos zhvillohej për shkak të kostove shtesë dhe mungesës së kohës për të ndjekur procedurat e zakonshme ligjore. Në memorandum thuhet gjithashtu se rreth 70 për qind e biletave ishin blerë nga shtetas të huaj.
Edhe kryeministri Edi Rama e ka mbrojtur publikisht financimin, duke deklaruar se ndërhyrja ishte e domosdoshme për të shmangur një situatë të sikletshme për Shqipërinë përballë afro 25 mijë vizitorëve të huaj që kishin blerë bileta. Sipas tij, aktiviteti mund të gjenerojë të paktën 100 milionë euro të ardhura nga turizmi dhe rezervimet në sektorin e akomodimit.
Gazetarja Elsa Demo tha për Shteg.org se financimi i koncertit është pjesë e një modeli të gjatë politik që e trajton kulturën si spektakël, duke shtuar se aktivitete të tilla mund të shërbejnë si mjete politike për të nxitur admirimin ndaj pushtetit dhe për të larguar qytetarët nga angazhimi qytetar.
Ndërkohë, ekonomisti Zef Preçi vuri në dyshim bazën ligjore dhe urgjencën e vendimit, duke theksuar se koncerti ishte bërë publik më shumë se dy muaj më parë. Edhe nëse shteti do të mbështeste një aktivitet privat, sipas tij, fondet duhej të ndaheshin përmes një procedure konkurruese dhe transparente, jo me një akt emergjent.
OCCRP kujton se polemikat zhvillohen në një kohë kur Tirana ka përjetuar protesta të përditshme për më shumë se një muaj. Demonstratat nisën si kundërshtim ndaj projektit të një resorti luksoz të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, dhe më pas u zgjeruan në protesta kundër zhvillimit në zonat e mbrojtura, ndërtimeve në bregdet dhe pretendimeve për korrupsion qeveritar, të cilat kryeministri Rama i ka mohuar.
Sipas OCCRP-së, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, si edhe kompania Redcloud, nuk iu përgjigjën pyetjeve të Shteg.org lidhur me arsyet e financimit dhe mënyrën se si do të shpenzohen fondet publike.
Artikulli thekson gjithashtu se Ye mbetet një figurë shumë e debatueshme në arenën ndërkombëtare dhe se këtë verë i është ndaluar të performojë në disa vende evropiane pas deklaratave që vlerësonin Adolf Hitlerin dhe publikimit të përmbajtjeve me simbole naziste.