TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Vijoi edhe sot protesta e 42-të qytetare kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Qindra qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, nga ku nisën marshimin drejt Kryeministrisë me thirrje për ndryshim politik dhe me mesazhin “Shqipëria kërkon revolucion”.
Protestuesit kërkuan dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë dhe qeverinë e tij për korrupsion, keqqeverisje dhe politika që, sipas tyre, kanë dëmtuar qytetarët dhe vendin.
Organizatorët kishin njoftuar më herët se në protestën e sotme do t’u bashkoheshin edhe shqiptarë nga diaspora, të cilët prej kohësh janë përfshirë në mbështetje të kësaj kauze.

Marshimi drejt Kryeministrisë dhe mesazhet e protestuesve
Me thirrjet “Edi Rama jep dorëheqjen”, protestuesit marshuan drejt selisë së qeverisë, duke kërkuar largimin e kryeministrit dhe të asaj që e cilësuan si një “kastë politike 36-vjeçare”, për të cilën thanë se ka punuar kundër interesave të qytetarëve.

Gjatë tubimit u ngritën shqetësime për korrupsionin, emigracionin masiv, ekonominë, bujqësinë dhe mënyrën e qeverisjes. Protestuesit deklaruan se do të vijojnë aksionet e tyre qytetare deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Një prej protestuesve, nga sheshi para Kryeministrisë, u bëri thirrje edhe qytetarëve që nuk kanë marrë pjesë në protestë që t’u bashkohen, ndërsa kërkoi mbështetjen e aleatëve europianë dhe SHBA-së.

“Jemi të gatshëm të rezistojmë derisa kjo qeveri të largohet. Ky sistem nuk na përfaqëson ne. Shqiptarët po i tregojnë vendit dhe botës se nuk pajtohen me të keqen. Kërkojmë dorëheqje të menjëhershme të kryeministrit”, u shpreh ai, duke shtuar se qytetarët duhet të bashkohen për Shqipërinë.
Fjalimet në podium, nga Mehdi Malkaj te aktivistët dhe qytetarët
Aktori Mehdi Malkaj, gjatë fjalës së tij në podiumin para Kryeministrisë, iu referua deklaratave të kryeministrit Rama se nuk largohet pasi ka një “kontratë me shqiptarët”. Ai ngriti pyetje mbi premtimet e pambajtura të qeverisë.
“E keni vënë re që kryeministri thotë se do ta çojë deri në fund se ka një kontratë? Ku është mjekësia falas? Arsimi? Ku janë pensionistët që do këndonin dhe kërcenin? Le të vijë këtu, sepse ne nuk jemi ronxho ponxho, por populli. Ne kemi vrarë frikën”, tha Malkaj.
Aktivisti Ilir Xhemalaj, në fjalën e tij, drejtoi akuza ndaj qeverisë duke thënë se protestuesit më herët janë etiketuar si “nazistë”. Ai akuzoi gjithashtu qeverinë për politikat që, sipas tij, kanë nxitur largimin e shumë shqiptarëve nga vendi.
Xhemalaj kritikoi edhe mënyrën e menaxhimit të çështjeve të turizmit dhe ndërhyrjet ndaj ndërtimeve pa leje, duke përmendur rastet në Theth dhe Durrës. Ai sqaroi se deklaratat e tij përfaqësojnë qëndrimet e tij personale.
Fermerët dhe ish-minatorët: Kritika për bujqësinë dhe përmbytjet
Në protestë morën pjesë edhe fermerë e ish-minatorë, të cilët ngritën shqetësime për situatën ekonomike dhe trajtimin që, sipas tyre, u është bërë nga qeveria.
Një fermer i prekur nga përmbytjet tha se qeveria bën propagandë me fondet e parashikuara për subvencionet, ndërsa sipas tij, për pagesa të tjera janë përdorur shuma të mëdha parash.
“Vij nga fermerët e përmbytur, që Rama i ka shpallur armiq. Në vend që të na dëmshpërblejë, i jep 4.2 milionë euro një këngëtari. Janë 300 fermerë që kanë aplikuar për zgjerimin e biznesit, por ai u jep toka të huajve me ligj. Ministri i Bujqësisë është kthyer në ministër të importit”, tha ai.
Debati për koncertin e Kanye West
Një pjesë e rëndësishme e fjalimeve u përqendrua edhe te koncerti i Kanye West, i cili zhvillohet në të njëjtën periudhë me protestën.
Një qytetar tha se sipas tij, shteti është vendosur në shërbim të koncertit, ndërsa krahasoi numrin e protestuesve me pjesëmarrjen në aktivitet.
“Gjithë shteti është vendosur në shërbim të Kanye West. Edhe autobusët kishin marrë emrin e tij, edhe autobusët që nuk vijnë asnjëherë për qytetarët. Qeverisë iu desh të paguajë 4 milionë euro, por prapë këtu ka më shumë njerëz”, u shpreh ai.
Një tjetër protestues solli si shembull Turqinë, duke thënë se edhe ajo kishte ftuar artistin, por me një kapacitet ekonomik shumë më të madh.
“Tek pediatria nuk kishte gjenerator dhe karburant. Për interesa personale paguhen mbi 4 milionë euro për të paraqitur Shqipërinë kështu. Turqia e ftoi këtë këngëtar, por buxheti i saj është shumë herë më i madh se ai i Shqipërisë”, deklaroi ai.
Një aktivist tjetër kritikoi përdorimin e fondeve publike, duke akuzuar qeverinë për prioritete të gabuara dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.
Protesta vijon me marshim në rrugët e Tiranës
Pas fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin në rrugët e Tiranës, duke vijuar protestën kundër qeverisë Rama.
Tubimi u shoqërua me thirrje për ndryshim politik, ndërsa pjesëmarrësit deklaruan se do të vazhdojnë aksionet e tyre qytetare.
Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet largimi i kryeministrit Edi Rama nga posti i kreut të qeverisë.