AKTUALITET, 11 Korrik 2026, 21:18

Çdo javë 15 të mitur në Prokurori, prokurorja ngre alarmin: Droga dhe rrjetet sociale po shtojnë dhunën në Shqipëri

Çdo javë 15 të mitur në Prokurori, prokurorja ngre

Përdorimi i lëndëve narkotike dhe varësia nga rrjetet sociale po ndikojnë gjithnjë e më shumë në rritjen e agresivitetit te të miturit, një fenomen që po reflektohet edhe në numrin e rasteve të fëmijëve që përballen me drejtësinë ose procedohen penalisht.

Referuar rasteve të trajtuara nga organet e drejtësisë, rezulton se të miturit në konflikt me ligjin po shfaqin gjithnjë e më shumë prirje për të promovuar dhunën në ngjarjet ku përfshihen.

Prokurorja Vitjuna Mata, e cila punon çdo ditë me çështjet që përfshijnë fëmijët dhe është pjesë e seksionit që heton këtë grupmoshë, shprehet se sistemi i drejtësisë është hallka e fundit në zinxhirin e parandalimit.

Ndonëse nuk ka ende të dhëna zyrtare për numrin e fëmijëve përdorues të lëndëve narkotike, një nga urdhrat e parë të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, parashikon që strukturat vartëse të raportojnë periodikisht mbi kontrollet e zhvilluara pranë shkollave, me synim goditjen e shpërndarjes së drogës.

Një nga rastet që po hetohet aktualisht nga Prokuroria e Tiranës lidhet me plagosjen e një të rrituri, ku i mituri i dyshuar rezulton të ketë qenë përdorues i lëndëve narkotike.

Prokuroria e Tiranës, institucioni me ngarkesën më të madhe të çështjeve në vend, përballet çdo ditë edhe me një numër të konsiderueshëm të miturish në konflikt me ligjin.

"Çdo javë kemi mesatarisht 12 deri në 15 të mitur që referohen", deklaroi prokurorja Vitjuna Mata.

Sipas saj, për pjesën më të madhe të këtyre rasteve çështjet nuk nisin, pasi fëmijët janë nën moshën e përgjegjësisë penale të parashikuar nga ligji.