TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Prekal të Shkodrës, ku Aleksander Koçeku është vrarë me armë zjarri.
Dyshohet se ngjarja mund të ketë lidhje me vrasjen e 20-vjeçarit Pavlin Preka në oborrin e shtëpisë së tij më 26 shkurt 2025 në fshatin Guci e Re në Shkodër.
Për vrasjen e 20-vjeçarit, janë vënë në pranga Vasel Koçeku dhe Klaudio Lisaj, ndërsa ka dyshime se në ngjarje është i përfshirë dhe Aleksandër Koceku.
Vëllai i Aleksandër Koçekut, 43-vjeçari Vasel Koçeku dhe 20-vjeçari Klaudio Lisaj ndodhen në qeli për vrasjen e Pavlin Prekës.
Pra, hetuesit nuk e kanë përjashtuar mundësinë që ngjarja e sotme mund të ketë ndodhur për hakmarrje, për vrasjen e Pavlin Prekës.
Ndërkohë Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Vrasja e Pavlin Prekës, si ndodhi ngjarja
Paulin Preka u gjet i vrarë në 20 shkurt të vitit 2025-së dhe dyshohet se ka si motiv një konflikt të gjatë që lidhet me dëshirën e viktimës për t’u fejuar me vajzën e Vasel Koçekut, (në kohën kur ndodhi vrasja vajza ishte 16 vjeçe).
Historia, sipas hetimeve, nis rreth vitit 2022, kur Pavlin Preka i kishte kërkuar dorën për fejesë familjes Koçeku. Në atë kohë, vajza ishte vetëm 13 vjeçe, ndërsa Preka 17 vjeç. Kërkesa ishte refuzuar menjëherë nga babai i saj, Vasel Koçeku duke i thënë se nuk kam vajzë për të dhënë sepse është shumë e vogël.
Megjithatë, sipas burimeve, gjatë viteve në vijim Preka ka vijuar të shfaqë interes dhe këmbëngulje për vajzën, duke shprehur ndjenjat e tij edhe tek persona të tjerë.
Familja Koçeku nuk e ka pranuar kurrë këtë kërkesë, duke e konsideruar të papranueshme për shkak të moshës së mitur të vajzës ndërsa disa herë i kanë shkuar fjalë se çfarë thoshte viktima.
Sipas hetimeve dyshohet se mëngjesin e 20 shkurtit, Klaudio Lisaj, i njohur i viktimës dhe i familjes Koçeku, e ka nxjerrë Pavlin Prekën nga banesa e tij në Guci të Re. Më pas, sipas dyshimeve të prokurorisë, Vasel Koçeku e ka qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Trupi i pajetë i 20-vjeçarit u gjet disa orë më vonë nga familjarët, pasi ai nuk u përgjigjej thirrjeve telefonike. Pas ngjarjes, xhaxhai i viktimës deklaroi publikisht se Pavlin Preka nuk kishte konflikte të njohura, duke theksuar se i riu jetonte mes Shkodrës dhe Dukagjinit.
Lidhur me ngjarjen u arrestuan Vasel Koçekun dhe Klaudio Lisaj.