TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

SPAK ka njoftuar ditën e sotme pretencën në lidhje me hetimin për pastrimin e parave të Cosa Nostras në Shqipëri nga ana e Rezart Taçit.
SPAK ka kërkuar shpalljen fajtor të kunatit të Taçit, Artur Balla dhe dënimin e tij me 13 vite burg, i cili si pasojë e procedurës së gjykimit të shkurtuar ulet në 8 vite e 8 muaj burg,
Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar edhe dënimin e shoferit të Taçit, Bledar Lilo me 12 vite burg, që do të ulet në 8 vite.
Në pretencën e SPAK, është kërkuar konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit i shumës monetare prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion, e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e dyzet një, pikë pesëdhjetë) Euro. Kjo shumë parash është regjistruar në llogari bankare në emër të Francesco Zummo.
Në lidhje me biznesmenin Taçi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për pastrim parash, SPAK ka kërkuar që të hetohet si çështje penale më vete, për shkak se ai ndodhet në arrati.
Njoftimi i plotë i SPAK
Në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në datën 09.02.2023 është zhvilluar seanca gjyqësore e radhës për çështjen penale në ngarkim të të pandehurve Artur Balla dhe Bledar Lilo, të akuzuar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga neni 287, paragrafi (1), shkronjat (a), (b) e (dh), si dhe nenet 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
Në këtë seancë gjyqësore Prokuroria e Posaçme në diskutimin përfundimtar ka kërkuar si më poshtë:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Artur Balla për veprat penale që është akuzuar dhe dënimin e tij me 13 vjet burgim. Për shkak të zhvillimit të proçedurës së gjykimit të shkurtuar, ulet 1/3 e dënimit, si rrjedhim është kërkuar përfundimisht dënimi i të pandehurit Artur Balla me 8 vjet e 8 muaj burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Bledar Lilo për veprat penale që është akuzuar dhe dënimin e tij me 12 vjet burgim. Për shkak të zhvillimit të proçedurës së gjykimit të shkurtuar, ulet 1/3 e dënimit, si rrjedhim është kërkuar përfundimisht dënimi i të pandehurit Bledar Lilo me 8 vjet burgim.
Gjithashtu është kërkuar konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit i shumës monetare prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion, e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e dyzet një, pikë pesëdhjetë) Euro, ndodhur në llogarinë bankare në emër të Francesco Zummo, në Bankën Alpha, Tiranë, të sekuestruara gjatë fazës së hetimit paraprak nga Prokuroria e Posaçme.
Çështja penale në ngarkim të të pandehurit Rezart Taçi është ndarë gjatë fazës së seancës paraprake dhe do të gjykohet si çështje penale më vete, për shkak se ky i pandehur është në mungesë dhe duhet të kryhen proçedurat e nevojshme të parashikuara në Kodin e Proçedurës Penale për të pandehurit që gjykohen në mungesë.