AKTUALITET, 10 Qershor 2022, 09:02

Sot 144 vite/ Ora e parë e mësimit në Shqipëri e Kosovë do t’i kushtohet Lidhjes së Prizrenit

Sot 144 vite/ Ora e parë e mësimit në Shqipëri e Kosovë

Për nder të 144 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit sot të gjitha shkollat në Shqipëri e Kosovë do t’ia kushtojnë orën e parë të mësimit kësaj ngjarje të rëndësishme të historisë shqiptare. Kryeministri Edi Rama bëri të ditur ditën e djeshme se ora e parë e mësimit do të jetë histori për ditën e pavdekshme shqiptare.

'Ora e parë e mësimit në të gjitha shkollat andej e këtej bjeshkëve do t'i kushtohet pikërisht asaj ditës dhe historisë së asaj lidhjeje të pavdekshme shqiptare'- shkroi Rama në rrjetin e tij social 'Facebook'.

Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut.

Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend Mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë.

Pas firmosjes së Marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të kongresit të Berlinit, i cili me shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan këtë mbledhje, ku do të shpallnin ndarjen përfundimtare nga sundimi osman.