TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Autoritetet e shërbimit veterinar në zonat kufitare të Shqipërisë me Greqinë njoftuan masa të posaçme për të parandaluar hyrjen e murtajës së bagëtive të imta që ka prekur vendin fqinj.
Shërbimi veterinar shqiptar është në terren në Qarkun e Gjirokastrës me 7 grupe kontrolli i tha Zërit të Amerikës Krenar Veliu, në shërbimin veterinar rajonal.
“Po monitorohen fermat e mëdha të bagëtive të imta dhe sidomos transporti i bagëtive, po kryhen kontrolle për raste të dyshuara dhe deri tani nuk është evidentuar në Shqipëri asnjë rast me murtajën e bagëtive të imta”, tha zoti Veliu.
Ai tha se murtaja e bagëtive të imta (deleve dhe dhive) që është shfaqur në Greqi, së fundmi, është një sëmundje që nuk transmetohet nga bagëtitë tek njerëzit, por dëmton rëndë ekonominë blegtorale.
Sëmundja ka aftësi përhapëse të mëdha dhe bagëtitë e prekura duhet të asgjësohen, por nuk ka asnjë rrezik për jetën e njerëzve, tha zoti Veliu.
Sipas burimeve zyrtare grupe monitorimi janë ngritur edhe shërbimet veterinare rajonale në disa qarqe të tjera të vendit si atë të Korçës, Beratit dhe Elbasanit.
Shërbimi veterinar shqiptar po bën përpjekje të ndërgjegjësojë barinjtë sidomos në zonat kufitare me Greqinë për rrezikshmërinë e lartë të sëmundjes për ekonomitë e tyre.
Më parë në disa zona kufitare janë kryer transporte të paligjshme të bagëtive nga Greqia në Shqipëri dhe nëse ky fenomen vazhdon në brezin kufitar, mund të sjellë, sipas veterinerëve, transferimin e sëmundjes edhe në Shqipëri.
Rasti i parë i murtajës së deleve dhe dhive u regjistrua në 11 korrik në Greqinë qëndrore dhe disa mijë bageti të prekura janë asgjësuar nga autoritetet veterinare në disa zona të Greqisë.
Sipas udhëzimit të Bashkimit Europian, kafshët që rezultojnë të prekura duhet të theren.
Ministri grek i Bujqësisë, Kostas Tsiaras vendosi këto ditë si në masë parandalimi për të frenuar përhapjen e sëmundjes ndalimin e transportit të dhive dhe deleve në të gjithë Greqinë.
Sëmundja e murtajës së deleve dhe dhive ka qenë endemike për shumë vite në shumë vende të Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Azisë ku zbatohen programe vaksinimi për ta kontrolluar atë.
Në Evropë, të dhënat zyrtare i referohen rasteve në Gjeorgji në vitin 2016 dhe në Bullgari 2018 ndërsa këtë verë murtaja e bagëtive të imta u shfaq në Rumani dhe më pas edhe në Greqi./VOA/