AKTUALITET, 8 Gusht 2024, 19:35

Ndryshimet në Urdhrin e Mjekut/ Punë në privat, vetëm me lejen e titullarit të spitalit. Gjoba apo heqje licence për abuzuesit

Ndryshimet në Urdhrin e Mjekut/ Punë në privat, vetëm me

Vërejtje, gjobë që shkon deri në 1 milion lekë, pezullim për të kryer shërbime shëndetësore të caktuara e deri heqje të licencës do të ketë për mjekët që shkelin etikën mjekësore dhe gabojnë në dhënien e shërbimit ndaj pacientit. Këtë parashikojnë ndryshimet në ligjin për urdhrin e mjekut.

Akti normativ i qeverisë, i miratuar me 1 gusht, është publikuar në Fletoren Zyrtare. Sipas tyre, mjekët e qendrave shëndetësore dhe spitaleve publike e kanë të ndaluar të punojnë në sistemin shëndetësor privat më shumë se 30% të orëve mujore që punojnë në shtet.

Ndërsa pacientët që u kërkojnë ndihmë në shërbimin publik në përputhje me specialitetin e tyre nuk mund t’i dërgojnë në privat. Ndryshimet ligjore parashikojnë gjithashtu që për të punuar në spital privat një anëtar i urdhrit të mjekëve duhet t’i kërkojë leje titullarit të spitalit publik ku është i punësuar.

Ndërkohë drejtuesit e shërbimeve shëndetësore të çdo niveli në publik dhe Universitetin Mjekësor nuk mund ta mbajnë këtë funksion në një spital privat. Qeveria ndërmori këto ndryshime ligjore për të rritur cilësinë e shërbimit shëndetësore në vend.